Më shumë se 250 media protestojnë kundër vrasjes së gazetarëve në Gaza nga Izraeli

Më shumë se 250 media në mbi 70 vende kanë organizuar një protestë në faqet e para të tyre, duke vënë në pah vrasjen e mbi 200 gazetarëve gjatë luftës së Izraelit në Gaza, njofton organizata për lirinë e medias “Reporterët pa Kufij” (RSF).

“Me ritmin që po vriten gazetarët në Gaza nga ushtria izraelite, shumë shpejt nuk do të ketë askënd që t’ju informojë,” tha në një deklaratë të hënën drejtori i përgjithshëm i RSF-së, Thibaut Bruttin.

Protesta, e mbështetur gjithashtu nga lëvizja globale Avaaz, u pasqyrua në faqet e internetit të mediave si Al Jazeera, gazeta britanike The Independent, gazetat franceze La Croix dhe L’Humanite, si dhe gazetat gjermane Tageszeitung dhe Frankfurter Rundschau, sipas RSF-së.

Sipas të dhënave të RSF-së, rreth 220 gazetarë janë vrarë gjatë luftës së Izraelit në Gaza që nga fillimi më 7 tetor 2023. Analiza të pavarura nga Al Jazeera tregojnë se të paktën 278 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë nga Izraeli gjatë 22 muajve të fundit, përfshirë 10 nga rrjeti i tyre.

Protesta e së hënës u mbajt një javë pasi pesë gazetarë – Mohammad Salama i Al Jazeera-s, kameramani i Reuters Hussam al-Masri, gazetarja e pavarur Mariam Abu Daqqa që punonte për Associated Press, Ahmed Abu Aziz dhe Moaz Abu Taha – u vranë në dy sulme izraelite në Spitalin Nasser në Khan Younis të Gazës jugore.

Më herët, në gusht, gjashtë gazetarë, përfshirë Anas al-Sharif nga Al Jazeera, u vranë në një sulm ajror izraelit mbi një tendë ku strehoheshin punonjës të medias jashtë portës kryesore të Spitalit al-Shifa në qytetin e Gazës. Sulmi kishte në shënjestër al-Sharifin.

Në total, shtatë persona u vranë në atë sulm, përfshirë tre punonjës të tjerë të Al Jazeera-s – korrespondentin Mohammed Qreiqeh, 33 vjeç, dhe kameramanët Ibrahim Zaher, 25 vjeç, dhe Mohammed Noufal, 29 vjeç.

Pjesëmarrësit në protestë “kërkojnë t’i jepet fund pandëshkueshmërisë për krimet e Izraelit kundër gazetarëve të Gazës, evakuimin emergjent të gazetarëve që kërkojnë të largohen nga Rripi dhe që medias së huaj t’i lejohet qasja e pavarur”, thuhet në deklaratën e RSF-së.

Organizata e medias bëri të ditur se ka paraqitur katër ankesa në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për krime lufte që, sipas saj, ushtria izraelite ka kryer kundër gazetarëve në Gaza.

Mediave ndërkombëtare u është mohuar qasja e lirë në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës.

Vetëm disa media të zgjedhura kanë pasur gazetarë të integruar me njësitë ushtarake izraelite që operojnë në Gaza, nën kushtet e censurës së rreptë ushtarake.

Izraeli ka vrarë të paktën 63.459 palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button