Putin në Samit në Kinë: Për luftën në Ukrainë është fajtor Perëndimi, jo Rusia

Gjatë samitit të nivelit të lartë në Tianxhin, presidenti rus Vladimir Putin justifikoi sërish agresionin ndaj Ukrainës, duke fajësuar Perëndimin për nisjen e konfliktit.
Ai u shpreh se kriza nisi me grushtin e shtetit në Ukrainë më 2014, të mbështetur nga vendet perëndimore. Putin theksoi se aneksimi i Krimesë dhe mbështetja për separatistët ishin reagim ndaj këtyre zhvillimeve.
Ai akuzoi gjithashtu Perëndimin për përpjekje për ta futur Ukrainën në NATO, gjë që sipas tij kërcënon sigurinë ruse. Në prani të liderëve të Kinës, Indisë dhe Iranit, Putin falënderoi aleatët për përpjekjet drejt paqes.
Ai përmendi marrëveshje të arritura në një samit me Trump si një hap pozitiv. Putin deklaroi se kishte informuar presidentin Xi për ecurinë e bisedimeve. Ai theksoi se zgjidhja e krizës kërkon adresimin e shkaqeve të thella që e kanë shkaktuar atë.