Çdo lagje e Çairit në hartën e investimeve infrastrukturore

Kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti, gjatë vizitës në lagjen Gazi Babë ku po zhvillohen punimet në Rrugën Jashar Erebara, tha se ky investim prej afro 3 milionë denarësh do të sjellë ndryshime të prekshme për banorët.
“Sot isha pranë banorëve të lagjes Gazi Babë, ku po zhvillohen punimet në Rrugën Jashar Erebara. Ky projekt, me vlerë afro 3 milionë denarë, përfshin rrjet të ri ujësjellësi, kanalizim atmosferik e fekal, ndriçim modern dhe asfaltim të plotë të rrugës pas përfundimit të punimeve nëntokësore,” theksoi Mexhiti.
Ai shtoi se këto investime janë dëshmi e qartë e vizionit që ai ka për komunën:
“Kjo është dëshmia më e mirë se vizioni ynë për Çairin është i qartë: çdo lagje, pa përjashtim, duhet të ketë infrastrukturë funksionale dhe kushte dinjitoze jetese.”
Mexhiti gjithashtu nënvizoi se projektet po realizohen me një qasje të koordinuar dhe të planifikuar:
“Investimet po bëhen në mënyrë të koordinuar, me mbështetjen e Komunës, Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Qeverisë, sepse Çairi ka nevojë për një qasje serioze dhe të planifikuar,” deklaroi ai.



