Kallëzim penal për dy persona tek të cilët u gjetën armë dhe municione

Sektori për Luftën kundër Terrorizmit pranë Departamentit për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë të Byrosë për Siguri Publike në MPB ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër personave A.M. (58) dhe A.M. (28), të dy nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale – “prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë ose lëndë shpërthyese”.
Më konkretisht, dje (29.08.), bazuar në një urdhër gjykate të mëparshëm, është kryer bastisje në shtëpinë ku qëndronin të denoncuarit, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar disa sende që rrjedhin nga vepra penale, përkatësisht: pistoleta, një pushkë, një sasi e madhe municionesh për armë të ndryshme me kalibër 357 mm, 7.62×39 mm, 7.62×25 mm, 9 mm dhe fishekë gjahu kalibri 12, si dhe një pajisje e improvizuar shpërthyese.
Nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake, ndaj të denoncuarve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.



