Prokuroria hap hetim për vrasjen para kazinosë në Kavadar

Prokuroria Themelore Publike në Kavadar ka lëshuar urdhër për nisjen e një hetimi kundër tre personave të dyshuar se kanë rrahur për vdekje një qytetar të Kavadarit para një kazinoje në këtë qytet.
Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “lëndim trupor me pasoja vdekjeprurëse”.
“Të dyshuarit, dy prej të cilëve janë 27-vjeçarë dhe një 35-vjeçar, më 27 gusht rreth orës 5 të mëngjesit, kanë pasur një debat verbal me viktimën në një kazino në Kavadar. Më pas kanë dalë jashtë, e kanë sulmuar fizikisht dhe e kanë goditur me grushta e shqelma në të gjithë trupin dhe kokë. Viktima është përpjekur të hyjë në kazino, por ka humbur vetëdijen. Nga goditjet ka marrë disa lëndime të rënda trupore nga të cilat ka ndërruar jetë”, thekson Prokuroria.
Nga ky institucion shtojnë se gjatë hetimeve do të sigurohen të gjitha provat dhe do të kryhet ekspertizë psikiatrike e të dyshuarve dhe, nëse vërtetohet se ata kanë pasur vetëdije dhe qëllim për t’i marrë jetën viktimës, vepra mund të ririkualifikohet si “vrasje”.
Prokurori publik i ka paraqitur Gjykatës Themelore në Kavadar një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për tre të dyshuarit, duke marrë parasysh rrezikun e arratisjes, gjë që është treguar edhe nga sjellja e tyre menjëherë pas ngjarjes.
“Ata janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk janë paraqitur vetë në polici. Në vend të kësaj, janë strehuar së bashku në banesën e njërit prej tyre. Për këto arsye, prokurori publik ka vlerësuar se paraburgimi është i domosdoshëm për zhvillimin e pandërprerë të procedurës dhe sigurimin e të gjitha provave”, theksoi Prokuroria.



