Mbrojtja Civile e Gazës: Izraeli shkatërroi mbi 1.500 shtëpi në lagjen Zeitoun këtë muaj

Izraeli ka shkatërruar mbi 1.500 shtëpi në lagjen Zeitoun të qytetit të Gazës që nga 6 gushti, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmud Basal dha informacion lidhur me shkatërrimin e shkaktuar nga Izraeli, i cili miratoi planin për të pushtuar qytetin e Gazës në fillim të muajit.

Ai tha se që kur Izraeli nisi operacionin tokësor më 6 gusht, më shumë se 1.500 shtëpi në lagjen Zeitoun janë shkatërruar plotësisht, duke mos lënë asnjë ndërtesë në këmbë në pjesën jugore të lagjes.

Basal shpjegoi se ushtria izraelite po përdor robotë të mbushur me bomba, së bashku me pajisje ndërtimi për të shpërthyer 7 vende në ditë dhe për të hedhur eksplozivë në çatitë e shtëpive duke përdorur dronë “Quadcopter”. Sipas tij, këto armë po rrisin shkallën e shkatërrimit.

Ai theksoi se 80 për qind e banorëve të lagjes janë zhvendosur në perëndim ose në veri të qytetit të Gazës.

– Izraeli ka vendosur të pushtojë qytetin e Gazës

Kabineti izraelit i Sigurisë miratoi një plan për të pushtuar qytetin e Gazës më 8 gusht.

Në një intervistë para mbledhjes së kabinetit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ata synojnë të pushtojnë të gjithë Rripin e Gazës. Lajmet në mediat izraelite raportuan se ushtria ka marrë urdhra për të pushtuar pjesën tjetër të Gazës, por se ky hap nuk pritej të kryhej para shtatorit.

Sipas planit, në fazën e parë, afërsisht 1 milion palestinezë do të zhvendosen në jug, qyteti do të rrethohet dhe pas sulmeve intensive, ai do të pushtohet. Faza e dytë parashikon pushtimin e kampeve të refugjatëve në Gazën qendrore, të cilat janë shndërruar në rrënoja.

Izraeli e mbajti nën pushtim Rripin e Gazës për 38 vjet, nga viti 1967 deri në vitin 2005. Sot, Rripi i Gazës, ku jetojnë rreth 2.3 milionë palestinezë, ka qenë nën bllokadë të rëndë për 18 vjet.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button