Zemërim dhe thirrje për rezistencë në funeralin e Haniyeh në Katar

Mijëra njerëz u mblodhën në xhaminë Imam Muhamed bin Abdul al-Vahhab në kryeqytetin e Katarit, Doha, për lutje e varrimin e liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, raporton AlJazeera.
62-vjeçari u vra në Iran së bashku me truprojën e tij të mërkurën në atë që grupi palestinez e quajti “një bastisje tradhtare sioniste”. Izraeli as e ka konfirmuar e as mohuar përfshirjen e tij.
Mes masave të rrepta sigurie, njerëzit u mblodhën në kompleksin e xhamisë kombëtare disa orë përpara se të fillonin lutjet e së premtes për të nderuar Haniyeh, i cili jetonte në Doha gjatë disa viteve të fundit.
Ai ishte një anëtar i shquar i lëvizjes për më shumë se 20 vjet. Trashëgimia e tij në luftën palestineze për shtet dhe liri nga pushtimi izraelit ishte i pamohueshëm, sipas shumë njerëzve që ishin në xhami.
“Izraeli ka vrarë pothuajse 40,000 palestinezë në 300 ditët e fundit. Haniyeh ishte një prej tyre. Ne do të kujtojmë çdo jetë që u shua nga ky gjenocid”, tha Ahmed, një palestinez që jeton në Doha.
“Ne do të rezistojmë dhe do të jetojmë për të parë një Palestinë të lirë”, shtoi ai.
E zeza, e bardha, jeshile dhe e kuqja – ngjyrat e flamurit palestinez – ishin theksi mes numrit të madh të burrave, grave dhe fëmijëve.
Kishte zemërim mes zisë për mosndëshkimin e veprimeve të Izraelit.
“Shikoni si u vra një lider palestinez në një vend të huaj, a ka ndonjë ligj ndërkombëtar që do t’i mbajë izraelitët përgjegjës? Të gjitha organizatat globale janë të ekspozuara, ato janë të pakuptimta, shkatërrojini nëse nuk mund ta ndalojnë këtë gjenocid të palestinezëve”, tha Mohammad Abid, 45 vjeç, para se të hynte në xhami.
Pas namazit, trupi i Haniyeh do të dërgohet në varrezat mbretërore Lusail në veri të Dohas.