Zekerija Berisha “selam” BDI-së: Projektet që i realizojmë ne, juve as ndërmend s’ju kanë shkuar

Këshilltari i VLEN-it në Qytetin e Shkupit, Zekerija Berisha, ka reaguar ndaj opozitës së BDI-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit, duke i akuzuar për prezantim si iniciativa të reja të projekteve që, sipas tij, tashmë janë pjesë e planifikimeve zhvillimore të qytetit.
Berisha, përmes një statusi në Facebook, është ndalur veçanërisht te propozimi për ndërtimin e një parkingu me kate në zonën e Çairçanjes.
“Pak më ngadalë me ‘amendamentet historike’, se po propozoni projekte që ne i kemi planifikuar para se juve t’ju binte ndër mend t’i shkruani në Facebook!”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, parkingu me kate në Çairçanje nuk është një ide e re e opozitës, por tashmë është pjesë e planifikimeve të Qytetit të Shkupit.
“Parkingun me kate të Çairçanja nuk e shpikët sot ju. Ai tashmë është pjesë e planifikimeve zhvillimore të Qytetit të Shkupit. Pra, çfarë po ‘propozoni’ saktësisht? Që ne ta realizojmë atë që tashmë e kemi planifikuar?”, ka deklaruar ai.
Berisha e ka cilësuar këtë si “politikë të vjetër të mjegullës”, duke pretenduar se kur mungojnë projektet konkrete, opozita merr iniciativa tashmë të planifikuara dhe i paraqet si propozime të saj.
“Kur nuk ke projekt tëndin, merr projektin e tjetrit, shpalle si amendament dhe shpreso se qytetarët nuk do t’i lexojnë dokumentet. Por dokumentet nuk gënjejnë”, ka shkruar këshilltari i VLEN-it.
Ai ka përmendur edhe një sërë projektesh të tjera që, sipas tij, janë mbështetur ose planifikuar në Këshillin e Qytetit të Shkupit për zonat ku jetojnë shqiptarë.
Për Çairin, Berisha ka përmendur rikonstruimin dhe zgjerimin e rrugës “Cvetan Dimov”, si dhe planifikimin e zgjidhjes së problemit shumëvjeçar të parkimit në Çairçanje, përfshirë parkingun me kate.
Në Shuto Orizare, ai ka përmendur sanimin e “Makedonsko-Kosovska Brigada 38”, sanimin e rrugës kryesore në Gorno Orizare dhe sanimin e rrugës 37, së bashku me rrjetin e ujësjellësit.
Ndërsa për Butelin, Berisha ka theksuar investimet në hapësira publike, gjelbërim dhe rregullimin e zonave përgjatë bulevardit “Hristijan Todorovski Karposh”.
Në lidhje me Sarajin, ai ka thënë se janë mbështetur projekte infrastrukturore që përfshijnë rrugët, parkingjet në Saraj dhe Matkë, si dhe zgjidhje infrastrukturore dhe të ujësjellësit për vendbanimet e komunës.
“Ju keni pasur shumë kohë për t’i realizuar projektet e premtuara, por nuk e keni bërë. Sot, pasi të tjerët i fusin në plan, i financojnë dhe i çojnë përpara, ju dilni në Facebook dhe i ‘propozoni’”, ka deklaruar Berisha.
Në fund, ai i ka bërë thirrje opozitës që, para se të paraqesë propozime të reja, të lexojë materialet dhe dokumentet e Këshillit të Qytetit.
“Nuk mund ta shisni si ide opozitare një projekt që pushteti tashmë e ka futur në plan”, ka shkruar Berisha, duke e mbyllur reagimin me ironi:
“Me këtë qasje nuk është për habi që në seancën tjetër të propozoni që midis Shkupit të kalojë lumi Vardar.”
Sipas Berishës, qytetarët tashmë mund të bëjnë dallimin mes deklaratave në rrjetet sociale dhe projekteve konkrete që realizohen në terren.



