Zbulohet shtatorja e Ibrahim Rugovës në Podujevë
Në 34 vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut është zbuluar shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova në qytetin e Podujevës.
Përveç qytetarëve të shumtë, në zbulimin e kësaj shtatore morën pjesë edhe krerët e shtetit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani derisa potencoi Rugovën si arkitekt të shtetit tonë, tha se po i kthehet Llapit në bronz, duke u bërë banor i përjetshëm i kësaj komune.
Ajo potencoi se Kushtetuta e Kaçanikut është një moment historik në udhëtimin e Kosovës drejt lirisë.
Osmani tha se kjo shtatore nuk është vetëm një vepër arti, por edhe një testament i idealeve për të cilat Rugova sipas saj punoi deri vdekje për një Kosovë të lirë dhe demokratike.
Ajo theksoi se presidenti Rugova qëndroi i palëkundur në vizionin e tij edhe në ditët më të errëta të Kosovës.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla tha se ish-presidenti Rugova i qëndroi besnik parimeve gjatë viteve të 90-ta, gjatë luftës por edhe pasi Kosova ishte çliruar.
Ajo shtoi se vizioni i qartë, mençuria, thellësia e mendimeve dhe këmbëngulja e Rugovës bëri që populli i Kosovës të shpëtojë nga një rivalitet i egër politik për zhbërjen e shtetësisë së vendit tonë.
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se Rugova duke konsideruar si vlerë themelore dhe humane lirinë, arriti ta bënte atë.
Sejdiu tha se me kulturën dhe imazhin e tij civilizues, presidenti Rugova u bë frymëzim për shqiptarët.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se zbulimi i shtatores së Rugovës është një kujtim i përjetshëm për njeriun që me urtësi, qëndresë dhe vizion udhëhoqi Kosovën drejt lirisë dhe pavarësisë
Në një fjalë rasti, djali i ish- presidentit Rugova, Ukë Rugova përgëzoi skulptorin Gëzim Muriqin për krijimin e kësaj shtatoreje, derisa tregoi edhe domethënien e pamjes së shtatores.
Ndërkaq, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /KP/