OKB-ja kërkon hetim të plotë për vrasjen e qytetares turko-amerikane në Bregun Perëndimor

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një “hetim të plotë” për vrasjen e një gruaje amerikano-turke në Bregun Perëndimor të pushtuar, gjatë një proteste të premten.

Mediat lokale raportuan se Aysenur Ezgi Eygi, 26 vjeç, u qëllua për vdekje nga forcat izraelite ndërsa merrte pjesë në një protestë javore kundër zgjerimit të vendbanimeve hebreje, në qytetin Beita pranë Nablus, raporton BBC.

Ushtria izraelite ka thënë se “po shqyrtonte raportet se një shtetas i huaj u vra si rezultat i të shtënave në zonë”.

Duke reaguar ndaj vrasjes, Stephane Dujarric, zëdhënësi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së ka thënë se “do të donin një hetim të plotë të rrethanave dhe se njerëzit duhet të mbahen përgjegjës”.

“Civilët duhet të mbrohen në çdo kohë”, ka shtuar ai.

SHBA-ja ka bërë thirrje gjithashtu për një hetim mbi incidentin. Sean Savett, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, ka deklaruar se Ëashingtoni është “thellësisht i shqetësuar nga vdekja tragjike e një qytetareje amerikane”.

“Ne kemi kontaktuar me qeverinë e Izraelit për të kërkuar më shumë informacion dhe për të kërkuar një hetim mbi incidentin”, është shprehur Savett.

Ezgi Eygi ishte dërguar me urgjencë në spital menjëherë pasi ishte qëlluar, mirëpo ishte shpallur e vdekur më pas.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button