Zbulohen klubet e Premierligës të cilave u është vetofruar Leao

E ardhmja e Rafael Leaos vazhdon të mbetet e paqartë. Në orët e fundit, gazetari i talkSPORT, Ben Jacobs, ka zbuluar se rrethi i ngushtë i sulmuesit portugez ua ka ofruar lojtarin disa klubeve të Premierligës, në përpjekje për ta kuptuar nëse ekziston mundësia e një transferimi.
Përveç Manchester Unitedit dhe Arsenalit, mes klubeve të kontaktuara thuhet se ka qenë edhe Leeds United, skuadër e sapongjitur në elitën e futbollit anglez, përcjell “Gazeta Express”.
Një mundësi që ka habitur shumë, duke e pasur parasysh diferencën mes ambicieve të klubit nga Yorkshire dhe profilit ndërkombëtar të numrit 10 të Milanit.
Gjatë emisionit “White and Jordan”, Ben Jacobs deklaroi se Leeds është njëri nga klubet që është informuar për situatën e lojtarit, megjithëse një operacion i tillë mbetet shumë i vështirë për t’u realizuar.
“Rafa Leao i është ofruar, besoni ose jo, edhe Leeds United, përveç Manchester United dhe Arsenalit”, u shpreh gazetari anglez.
Ai shtoi se aspektet financiare e bëjnë shumë të vështirë që kjo marrëveshje të marrë zhvillime konkrete.
Sipas Jacobs, aktualisht pista më e besueshme për të ardhmen e Leaos nuk çon drejt Premierligës.
“Parashikimi im është se Leao mund të përfundojë në Turqi”, tha ai, duke lënë të kuptohet se klubet turke e përfaqësojnë zgjidhjen më të realizueshme në këtë moment.
Siç është raportuar edhe në ditët e fundit, në “pole-position” për transferimin e portugezit mbetet Galatasaray.

