Vritet një grua palestineze dhe dy të tjerë plagosen nga sulmi izraelit në Gaza

Një grua palestineze u vra dhe dy persona, përfshirë një vajzë, u plagosën në një sulm ajror izraelit që goditi sot një ndërtesë banimi në qytetin e Gazës, thanë burimet, raporton Anadolu.
Një burim mjekësor në spitalin Al-Shifa i tha Anadolu-s se trupi i Reem Asaad Awad, 33 vjeçe, dhe dy të plagosurit u dërguan në spital pas sulmit ajror ndaj një ndërtese banimi në lagjen Rimal. Burimi tha se sulmi shkaktoi shkatërrime të mëdha në apartamentin e shënjestruar dhe ndërtesat fqinje. Pas sulmit shpërtheu zjarr i madh, i cili u shua më vonë nga ekipet e mbrojtjes civile.
Ndërkohë, dëshmitarët thanë se automjetet ushtarake izraelite dhe dronët kuadrokopterë hapën zjarr drejt shtëpive palestineze në lagjen Tuffah, në verilindje të qytetit të Gazës ndërsa në rrugën Al-Sikka dhe zonën përreth u hodhën mjete shpërthyese.
Burimet thanë se ushtria izraelite kreu operacion të gjerë shkatërrimi, duke hedhur në erë shtëpi në zonat në lindje të qytetit të Gazës ku janë dislokuar forcat e saj. Në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, dëshmitarët thanë se automjetet ushtarake dhe buldozerët izraelitë depërtuan përtej zonave nën kontrollin e ushtrisë, në lindje të Deir al-Balahut.
Të shtënat goditën shtëpitë e banorëve përgjatë rrugës Salah al-Din, në lindje të Deir al-Balahut, duke shkaktuar panik mes tyre. Nuk u raportuan të plagosur apo viktima. Granatimet e artilerisë izraelite goditën zonat në verilindje të kampit të refugjatëve Bureij, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës ndërsa një dron izraelit hodhi një mjet shpërthyes mbi një tendë. Nuk u raportuan të plagosur.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, shkeljet izraelite të armëpushimit të tetorit 2025 kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 1.498 palestinezëve dhe plagosjen e 5.306 të tjerëve. Që nga tetori i vitit 2023 më shumë se 74 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 175 mijë janë plagosur në Gaza gjatë gjenocidit izraelit ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.



