Von der Leyen: Aktgjykimi i Speciales ka të bëjë me përgjegjësinë individuale, rezistenca e Kosovës nuk ishte në gjykim

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar pas takimit se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor, mandati i të cilit duhet të respektohet, duke theksuar se çështja ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur dhe se rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim, raporton Anadolu.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë, Von der Leyen në konferencën për media nga Qeveria e Kosovës tha se Bashkimi Evropian (BE) ka qëndruar pranë Kosovës që nga viti 1999, duke mbështetur rindërtimin, zhvillimin ekonomik, reformat dhe ndërtimin e një Kosove moderne dhe demokratike.

Duke komentuar reagimet pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara, ajo theksoi se vendimi duhet të shihet në kontekstin e përgjegjësisë individuale. Por, theksoi se asgjë dhe askush nuk mund ta rishkruaj historinë e Kosovës dhe luftën e viteve 1998-1999.

“Një gjë është e qartë, ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale për personat e pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim dhe duhet të respektojmë kujtesën për të gjitha viktimat, për të gjitha komunitetet në Kosovë”, tha Von der Leyen.

Ajo tha se beson në të ardhmen evropiane të Kosovës, derisa shtoi se aspirata për anëtarësim në BE duhet të shndërrohet në progres konkret.

“Unë besoj në të ardhmen evropiane të Kosovës dhe atë qartazi, sepse e di se sa thellësisht ndihen evropianë populli i Kosovës dhe ky është një themel mbi të cilin duhet të ndërtojmë. Detyra jonë është që ta shndërrojmë këtë aspiratë drejtë anëtarësimit në Evropë”, shtoi presidentja e KE-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova ka pasur njërën prej rritjeve më të shpejta të treguesve demokratik në rajon në dekadën e fundit. Ai tha se Kosova konkretisht ka shënuar sukses në luftën kundër korrupsionit, forcimit të ligjit, mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe avancimin e demokracisë.

Kurti tha se përparimi i Kosovës e ka bërë vendin si një nga vendet më të sigurta në Evropë ndërsa përmirësim i madh në siguri dhe sundim të ligjit është bërë në veri të Kosovës, aty ku shumica e popullisë i takon etnitetit serb.

“Kosova është partnere e besueshme e Bashkimit Evropian. Ne jemi 100 për qind të harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në, përfshirë edhe çdo sanksion kundër Rusisë, për agresionin e saj kundër Ukrainës. Ne i mbrojmë vlerat e Traktatit 2 për bashkim evropian dhe mbështetja e qytetarëve tanë për anëtarësim në BE mbetet më e larta në rajon, menjëherë pas Shqipërisë”, theksoi Kurti.

Kurti tha se në dhjetor mbushen 4 vjet që kur Kosova aplikoi për anëtarësim në BE ndërsa tha se presin mbështetje nga Von der Leyen që të flet hapur për nevojën e Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe t’i bëjë thirrje Komisionit për aplikimin e Kosovës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button