VMRO: Pse po e shtrenjtoni rrymën dhe ngrohjen?

VMRO DPMNE-ja opozitare ka reaguar sot ndaj paralajmërimeve për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes, duke e akuzuar Qeverinë se këtë po e bëjnë për “orekse të përfitimit”. Sipas tyre, në rrethana kur çmimi i gazit dhe energjisë elektrike është shumë më i ulët në bursat botërore krahasuar me një vit më parë, Maqedonia e Veriut po vendos t’i shtrenjtojë edhe më tepër.
“Për çfarë rritje të energjisë elektrike dhe të ngrohjes flet Kovaçevski, kur çmimi i gazit në bursë është 3 herë më i ulët se vitin e kaluar në këtë kohë? Është e qartë se diçka nuk është në rregull në raportin LSD-BDI, ose orekset për përfitime të dikujt janë të mëdha, dhe të njëjtën gjë duhet ta mbulojnë edhe qytetarët sipas logjikës së Kovaçevskit”, thonë nga VMRO DPMNE-ja.
Ata pyesin Qeverinë se si do t’ua shpjegojë qytetarëve këtë shtrenjtim, në një kohë kur gazi shitet me çmime mbi dy herë më të ulëta se vitin e kaluar?
“Është fakt i qartë se vitin e kaluar në këtë kohë çmimi i gazit në bursën e Holandës ishte mbi 110 euro për megavat orë, ndërsa tani një megavat orë shitet nën 50 euro, që është më shumë se dyfish çmim më i ulët. Futures që shiten për të gjithë sezonin e ngrohjes 2023/2024, sipas bursave evropiane, nuk i kalojnë 50 euro për megavat, por megjithatë Kovaçevski kërcënon të rrisë çmimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes, kjo e fundit tashmë është 5% më e shtrenjtë”, thuhet më tej në kumtesën e partisë opozitare maqedonase.



