VLEN: Komisioni Evropian e konfirmoi atë që e kemi thënë, Maqedonia e Veriut lider në rajon me reformat

Reformat që prodhojnë rezultate konkrete janë përgjigjja më e mirë për qytetarët dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Sigurimi i 65.7 milionë eurove nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor është dëshmi se puna, koordinimi institucional dhe qasja serioze ndaj reformave që po udhëhiqen nga Qeveria me pjesëmarrjen aktive të VLEN-it po japin efekt.
Komisioni Evropian e konfirmoi atë që e kemi theksuar vazhdimisht: Maqedonia e Veriut është ndër vendet me performancën më të mirë në rajon në realizimin e reformave dhe agjendës evropiane.
Ky sukses konfirmon se shteti ka kapacitet të realizojë reforma reale, të rrisë efikasitetin institucional dhe të avancojë proceset që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve duke filluar nga arsimi dhe digjitalizimi, deri te transparenca dhe zhvillimi ekonomik.
Për VLEN-in, integrimi evropian nuk është vetëm synim politik, por proces që duhet të sjellë zhvillim konkret, institucione funksionale dhe më shumë mundësi për qytetarët.
Rezultatet e arritura janë inkurajim për të vazhduar me të njëjtin ritëm në rrugën evropiane, me fokus te reformat, përgjegjësia dhe ndërtimi i një shteti që u shërben qytetarëve me standarde evropiane.



