VLEN: Blerim Bexheti dhe Danella Arsovska po dëmtojnë shqiptarët e Shkupit
Nënkryetari i Alternativës, Afan Elezi në konferencë për media ka deklaruar se saherë që BDI del në opinion dhe e hap gojën për gjoja shtypjen e shqiptarëve ju del përpara koalicioni i sherrit mes Blerim Bexhetit – Danella Arsovska dhe LEVICËS.
“Ky koalicion interesash dhe emocionesh vazhdon të jetë funksional në dobi të Bexhetit, Arsovskës dhe Levicës dhe në dëm të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve. Dëshmi për këtë është vazhdimi i ndërtimit të bustit së Andon Lazov Qoseto-i njohur si “Kasapi”, në rrethrrotullimin pranë qendrës tregtare “East Gate Mall”. Të nderuar qytetarë, gjithmonë kur do të dëgjoni përralla patriotike nga Blerim Bexheti dhe soji i tij, ju lutem, mendoni këtë bust të Qoses, kasapit të shqiptarëve dhe atë përgjimin e famshëm me patronin e tij Musa Xhaferi, një prokuror shqiptar nuk na çon në xhenet!”, deklaroi Elezi.
Ai ka shtuar se Bexheti dhe kryetarja Arsovska po bëjnë çmos për të deshqiptarizuar administratën e Qytetit të Shkupit.
“Falë tyre, shqiptarët, të cilët përbëjnë më shumë se 22% të popullsisë së qytetit, janë krejtësisht të përjashtuar nga pushteti lokal. Gjithashtu, nga 92 pozita drejtuese në administratë, vetëm 8 janë të plotësuara nga shqiptarë.
Gjendja është edhe më alarmante në ndërmarrjet publike të Qytetit të Shkupit. Përveç Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale,” ku shqiptarët kanë një përfaqësim minimal, në gjashtë ndërmarrje kryesore, si NP “Parqet dhe Gjelbërimi”, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”, NP “Ndërmarrja e Komunikacionit”, NP “Parkingu i Qytetit”, NP “Rrugicat dhe Rrugët”, NP “Drislla”, shqiptarët zënë vetëm 5.5% të pozicioneve udhëheqëse.
Për 22 vite, BDI-ja ka shkatërruar çdo mundësi për përparimin e shqiptarëve në Shkup dhe më gjerë. Ky pushtet kriminal, që ka shpërfillur popullin tonë për dekada të tëra, e ka shndërruar qytetin tonë dhe vendbanimet tona në versionin e tyre të “Las Vegasit”, ku vetëm ata përfitojnë, ndërsa shqiptarët mbeten jashtë dyerve të pushtetit.
Koalicioni VLEN është i përkushtuar të luftojë këto padrejtësi. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të siguruar që shqiptarët të kenë përfaqësimin që u takon sipas ligjit dhe meritës. Nuk do të lejojmë që ky diskriminim të vazhdojë dhe ju sigurojmë se çdo padrejtësi do të zbulohet dhe do të kundërshtohet me vendosmëri.
Shqiptarët e Shkupit meritojnë përfaqësimin dhe mundësitë që u janë mohuar!”, deklaroi Elezi.