VLEN: 306 projekte po ndryshojnë komunat shqiptare, “ka përfunduar koha e interesave partiake”

Koalicioni VLEN ka deklaruar se përmes angazhimit në Qeveri po realizohen investime të rëndësishme në komunat shqiptare, duke theksuar se aktualisht janë në realizim gjithsej 306 projekte zhvillimore.
Sipas VLEN-it, për vite me radhë komunat shqiptare kanë mbetur në margjinat e investimeve, ndërsa projektet, siç thuhet në komunikatë, janë kushtëzuar nga interesa politike dhe jo nga nevojat reale të qytetarëve.
“Falë angazhimit të VLEN-it në Qeveri, 306 projekte po ndryshojnë pamjen e komunave shqiptare. Ky nuk është vetëm një numër. Është dëshmi se fondet publike po orientohen aty ku ka nevojë për zhvillim dhe jo aty ku diktojnë interesat politike”, thuhet në komunikatë.
Nga koalicioni veçojnë disa investime infrastrukturore të realizuara ditët e fundit në komunat e udhëhequra nga VLEN. Sipas njoftimit, në Tetovë është promovuar rruga “Sami Frashëri”, në Zhelinë është përfunduar rruga Dëbërcë–Çiflik pas më shumë se 30 vitesh pritje, në Bogovinë kanë nisur punimet për rrugën Rakovec–Bogovinë, ndërsa në Dibër po vazhdojnë investimet në rrugën “Fuad Dibra”.
VLEN vlerëson se këto projekte dëshmojnë se investimet po kalojnë nga premtimet në realizim konkret.
“Iku koha e deklaratave boshe politike, VLEN krijoi një standard të ri. Ne tani matemi me kilometrat e rrugëve të ndërtuara, me projektet që nisin dhe përfundojnë, me investimet që prej vitesh ishin bllokuar e që sot po realizohen njëri pas tjetrit”, theksohet në reagim.
Sipas koalicionit, qasja e re bazohet në më shumë rezultate dhe përgjegjësi institucionale.
“Ky është standardi që ka vendosur VLEN: më pak propagandë, më shumë rezultate; më pak justifikime, më shumë përgjegjësi; më pak fjalë, më shumë punë”, thuhet në komunikatë.
Në fund, VLEN thekson se investimet infrastrukturore nuk paraqesin vetëm ndërtim rrugësh, por, sipas tyre, shënojnë fundin e periudhës kur zhvillimi kushtëzohej nga interesa partiake dhe jo nga nevojat e qytetarëve.



