Venezuela sinjalizon gatishmëri për bisedime me SHBA-në mbi trafikun e drogës dhe investimet në naftë

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka deklaruar se vendi i tij është i hapur për bisedime me SHBA-në mbi bashkëpunimin për luftimin e trafikut të drogës, ransmeton Anadolu.

Në një intervistë të regjistruar paraprakisht, e transmetuar dje në televizionin shtetëror, Maduro tha se është i gatshëm për dialog “kurdo që të duan, kudo që të duan dhe sido që të duan”.

Ai akuzoi SHBA-në se ndjek politika për ndryshim regjimi në Venezuelë, duke theksuar se qëllimi është të merret kontrolli mbi burimet e mëdha të naftës së vendit përmes një fushate presioni që ka zgjatur me muaj.

“Çfarë po kërkojnë? Është e qartë se kërkojnë të imponohen përmes kërcënimeve, frikësimit dhe forcës”, tha ai, duke shtuar se ka ardhur koha që të dy vendet të “fillojnë të flasin seriozisht, me fakte konkrete në dorë”.

“Qeveria e SHBA-së e di, sepse ua kemi thënë shumë zëdhënësve të tyre, se nëse duan të diskutojnë seriozisht një marrëveshje për luftimin e trafikut të drogës, ne jemi gati”, tha ai.

Intervista u regjistrua në natën e Vitit të Ri, në të njëjtën ditë kur ushtria amerikane njoftoi sulme ndaj pesë anijeve të dyshuara për kontrabandë droge.

Sulmet e fundit, sipas shifrave të shpallura nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, e çojnë numrin e përgjithshëm të goditjeve ndaj anijeve në 35 dhe numrin e të vrarëve në të paktën 115. Mes viktimave ka edhe venezuelianë.

Maduro refuzoi të komentojë raportimet për një sulm të udhëhequr nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) javën e kaluar ndaj një zone ankorimi në Venezuelë, për të cilën administrata e Trumpit tha se përdorej nga kartelet e drogës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button