Venezuela paralajmëron se “agresioni” amerikan është faza e parë e ambicieve “kontinentale”

Venezuela i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KSOKB) se Shtetet e Bashkuara kanë “ambicie kontinentale” mbi pjesën më të madhe të Amerikës Latine, teksa zhvillojnë një luftë jozyrtare për rrëzimin e qeverisë së presidentit venezuelian, Nicolas Maduro.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për Venezuelën. Ambicia është kontinentale,” deklaroi ambasadori i Venezuelës në OKB, Samuel Moncada, gjatë një mbledhjeje të KSOKB-së me 15 anëtarë, të martën.
“Qeveria amerikane e ka shprehur këtë në Strategjinë e saj të Sigurisë Kombëtare, ku thuhet se e ardhmja e kontinentit u përket atyre,” tha Moncada.
“Duam ta paralajmërojmë botën se Venezuela është vetëm objektivi i parë i një plani më të gjerë. Qeveria amerikane dëshiron të na ndajë, që të na pushtojë pjesë-pjesë,” shtoi ai.
Venezuela, më herët këtë muaj, kishte kërkuar mbajtjen e një mbledhjeje të KSOKB-së për të trajtuar “agresionin e vazhdueshëm amerikan”, i cili, sipas Karakasit, nisi në shtator, kur Shtëpia e Bardhë ndërmori sulme ajrore ndaj anijeve në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor lindor. Shtëpia e Bardhë pretendoi, pa ofruar prova, se anijet po trafikonin drogë drejt SHBA-së.
Sipas Moncadës, deri tani të paktën 105 persona janë vrarë nga sulmet e forcave amerikane, të cilat ekspertë juridikë dhe udhëheqës latinoamerikanë i kanë cilësuar si “vrasje jashtëgjyqësore”. Uashingtoni, nga ana tjetër, pohon se këto veprime janë të domosdoshme për të ndalur rrjedhën e drogës drejt brigjeve amerikane.
Në mbledhjen e KSOKB-së, Moncada akuzoi gjithashtu administratën e presidentit amerikan Donald Trump për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të ligjit të brendshëm amerikan, pasi Shtëpia e Bardhë ka vepruar pa miratimin e Kongresit të SHBA-së, i cili ka kompetencën për të shpallur zyrtarisht luftë ndaj një shteti tjetër.
Ai tha se vendosja javën e kaluar nga Trump e një bllokade detare ndaj të gjitha cisternave venezueliane të naftës të sanksionuara nga SHBA-ja përbën “një akt ushtarak që synon rrethimin e kombit venezuelian”.
“Sot maskat kanë rënë,” tha Moncada. “Nuk është fjala për drogë, nuk është për siguri, nuk është për liri. Është për naftën, për minierat dhe për tokën.”
I dërguari amerikan denoncon ‘Maduron dhe regjimin e tij jolegjitim’
Sipas Moncadës, forcat amerikane kanë sekuestruar të paktën dy cisterna venezueliane të naftës dhe kanë konfiskuar të paktën 4 milionë fuçi naftë venezueliane, një veprim që ai e përshkroi si “një grabitje të kryer me forcë ushtarake”.
SHBA-ja ka mbrojtur bllokadën detare ndaj Venezuelës si një veprim të “zbatimit të ligjit”, që do të kryhet nga roja bregdetare amerikane, e cila ka autoritet të hipë në anije që janë nën sanksione amerikane. Ndryshe nga kjo, një bllokadë detare, sipas së drejtës ndërkombëtare, konsiderohet akt lufte.
Ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, i tha KSOKB-së se kartelët e drogës në Amerikën Latine mbeten “kërcënimi i vetëm më serioz” dhe se Trump do të vazhdojë të përdorë gjithë fuqinë e SHBA-së për t’i zhdukur ata. Waltz tha gjithashtu se nafta venezueliane është një komponent kyç në financimin e kartelëve në Venezuelë.
“Realiteti i situatës është se cisternat e naftës nën sanksione funksionojnë si linja kryesore ekonomike e shpëtimit për Maduron dhe regjimin e tij jolegjitim,” tha ai.
Shtëpia e Bardhë, më herët këtë vit, shpalli disa kartelë ndërkombëtarë të drogës, përfshirë Tren de Aragua nga Venezuela, si organizata terroriste. Uashingtoni shtoi gjithashtu në listë edhe “Cartel de los Soles”, që sipas tij drejtohet nga Maduro, në muajin nëntor.
Presidenti venezuelian i ka mohuar akuzat amerikane dhe ka akuzuar administratën Trump se po i përdor pretendimet për trafik droge si mbulesë për të realizuar “ndryshim regjimi” në vendin e tij.
Ambasadori i Rusisë në OKB paralajmëroi veçmas se “ndërhyrja” amerikane në Venezuelë mund të “shndërrohet në një model për veprime të ardhshme force kundër shteteve të Amerikës Latine”.
Ndërkohë, ambasadori i Kinës i tha KSOKB-së se veprimet e SHBA-së “cenojnë rëndë sovranitetin, sigurinë dhe të drejtat legjitime” të Venezuelës.



