Vazhdon gjykimi i “njerëzve t’BDI-së” për djegien e njerëzve në Spitalin e Tetovës

Me prezantimin e dëshmive të dhëna nga dëshmitarët nga gjykimi paraprak, sot në Gjykatën e Tetovës vazhdoi rigjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës ku u dogjën 14 persona. Fjalët përfundimtare për këtë rast pritet të thuhen më 12 maj, shkruan Portalb.mk.
Prokuroria prezantoi dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët e tyre, të cilat u dhanë në gjykimin e parë. Për shkak të efikasitetit të procedurës gjyqësore, këto dëshmitarë nuk u ftuan të dëshmojnë në seancë.
Mbrojtja e Florin Besimit kishte planifikuar që të vijnë të dëshmojnë tre dëshmitarë, megjithatë të njëjtët nuk u paraqitën në seancë. Andaj kjo u tërhoq si pikë, ndërsa u ra dakord që për bazë të merren dëshmitë e dhëna në gjykimin e parë.
Mbrojtja e Besimit gjithashtu kërkoi që të dëgjohen ekspertët të cilët e kanë përgatitur ekspertizën pas zjarrit, por kjo nuk u pranua.
Gjykatësi më pas pyeti prokurorët dhe mbrojtjen nëse janë të gatshëm që të thonë fjalët përfundimtare sot.
Prokuroria u shpreh e gatshme, ndërkaq avokatët e të akuzuarve kërkuan që gjykata të ju jep kohë që të përgatiten për fjalët përfundimtare.
Seanca e radhës ku pritet të thuhen fjalët përfundimtare do të mbahet më 12 maj në ora 10:00.