Ukrainës i nevojiten “524 miliardë dollarë dhe 10 vite” për t’u rindërtuar dhe rikuperuar

Sipas një raporti të fundit mbi vlerësimin e dëmeve dhe nevojave të shpejta të Ukrainës, një total prej 524 miliardë dollarësh do të nevojiten për rindërtimin dhe rimëkëmbjen e vendit nga lufta e Rusisë, transmeton Anadolu.

“Duke marrë parasysh pothuajse tre vjet që nga shkurti i vitit 2022, dëmi i drejtpërdrejtë deri më 31 dhjetor të vitit 2024 ka arritur në pothuajse 176 miliardë dollarë”, thuhet në raportin e përbashkët të Bankës Botërore, qeverisë ukrainase, BE-së dhe OKB-së.

Siç theksohet në raport, dëmet vazhdojnë të jenë të përqendruara në sektorët e strehimit, energjisë, transportit, tregtisë, industrisë dhe bujqësisë, me një rritje të madhe në sektorin e energjisë krahasuar me raportin e mëparshëm, duke reflektuar “nivele të rritura të dëmtimit dhe shkatërrimit pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për rikuperim”.

Raporti tregon se totali i nevojshëm është pothuajse 2.8 herë më i madh se prodhimi bruto u brendshëm i Ukrainës, ku theksohet rëndësia e mobilizimit të sektorit privat për rimëkëmbjen e suksesshme të vendit.

“Prioritetet e rimëkëmbjes dhe rindërtimit të vitit 2025 përfshijnë si projekte të investimeve publike ashtu edhe programe jo-investuese, që arrijnë në 17.32 miliardë dollarë, me projekte investimi të vlerësuara në 11.88 miliardë dollarë dhe programe jo-investuese në 5.44 miliardë dollarë për vitin 2025”, tha raporti.

Nëntë sektorët kyç për rimëkëmbjen e Ukrainës u grupuan në tre kategori, përfshirë sektorin social, rindërtimin e infrastrukturës dhe mbrojtjen civile.

“Për projektet e investimeve publike në vitin 2025 është siguruar një financim prej 5.46 miliardë dollarësh, duke lënë një boshllëk financimi prej 6.43 miliardë dollarësh. Për programet prioritare jo-investuese në vitin 2025, janë siguruar 1.91 miliardë dollarë, duke lënë një boshllëk financimi prej 3.53 miliardë dollarësh”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, i katërti i kryer nga Banka Botërore, qeveria ukrainase, BE-ja dhe OKB-ja mbi vlerësimin e dëmeve dhe nevojave të Ukrainës, prioriteti i investimeve në rimëkëmbje dhe rindërtim do të jetë kritik për pranimin e Ukrainës në BE dhe qëndrueshmërinë e saj afatgjate.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button