Ukraina ka vendosur sanksione ndaj tri kompanive kineze

Ukraina të premten ka vendosur sanksione ndaj tri kompanive kineze, pasi presidenti, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Kinën për furnizim të Rusisë me armë, ka raportuar agjencia e lajmeve “Retuers”.
Ministria e Jashtme e Kinës më herët të premten i ka mohuar akuzat e presidentit Zelensky si të pabaza. Derisa ka mirëmbajtur lidhje të forta ekonomike me Rusinë gjatë luftës trevjeçare të Moskës në Ukrainë, Kina është munduar të projektojë një imazh të neutralitetit dhe mohon çdo përfshirje në konflikt.
Administrata e Zelenskyt të premten ka publikuar një listë të përditësuar të entiteteve të sanksionuara. Lista, që po ashtu përfshinë kompani ruse, ka përfshirë edhe tri kompani të reja që janë të regjistruara në Kinë.
Nuk ka detaje se pse ato janë shtuar në listën e sanksioneve, që i ndalon kompanitë të zhvillojnë tregti në Ukrainë dhe i ngrin të gjitha asetet e tyre aty.
Ukraina i ka eksportuar 8 miliardë dollarë produkte për në Kinë në vitin 2021, më së shumti materiale të papërpunuara dhe produkte të agrikulturës, derisa ka importuar nga Kina afër 11 miliardë dollarë, shumica produkte të përpunuara, sipas qeverisë së Ukrainës.
Zelensky të enjten ka deklaruar se qeveria e tij ka prova që kompanitë kineze kanë furnizuar Rusinë me barut dhe artileri, dhe se kompanitë kineze po prodhonin disa armë në territorin rus. Ai nuk ka dhënë prova për këto pretendime.
Një javë më herët, Zelensky ka njoftuar se shtetas kinezë kanë luftuar në anën e Rusisë në luftën me Ukrainën, duke përfshirë dy që janë kapur si të burgosur. Një diplomat kinez është thirrur nga Ministria e Jashtme e Ukrainës për të ofruar një shpjegim.
Më vonë zyrtarë amerikanë dhe ukrainas deklaruan se ata janë përfshirë në luftë me iniciativën e tyre për përfitime financiare.