Ukraina dhe Moldavia nisin negociatat për anëtarësim në BE

Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar hapjen e fazës së parë të negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, duke i hapur rrugë nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim javën e ardhshme.
Vendimi u arrit në Bruksel pas heqjes së pengesave politike që kishin bllokuar procesin për një periudhë të gjatë.
Konferenca e parë ndërqeveritare pritet të mbahet të hënën në Luksemburg, ku do të hapet grupi i parë negociues i quajtur “Themeloret” (Fundamentals), i cili përfshin sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike, të drejtat themelore dhe reformat në sistemin e drejtësisë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndetën vendimin duke e cilësuar si një hap të madh përpara në procesin e zgjerimit të BE-së, raporton reuters.
Ata theksuan se ky zhvillim është njohje për përpjekjet reformuese të Ukrainës dhe Moldavisë, të realizuara pavarësisht sfidave të mëdha me të cilat përballen të dy vendet.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi vendimin si mbështetje të rëndësishme politike dhe morale për vendin e tij, ndërsa presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, deklaroi se Kiishinau do të vazhdojë zbatimin e reformave të nevojshme për t’u afruar me standardet evropiane.
Bashkimi Evropian kishte dhënë miratimin politik për hapjen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë që në fund të vitit 2023, por procesi u vonua për shkak të kundërshtimeve të Hungarisë. Pengesa u tejkalua pas arritjes së një marrëveshjeje lidhur me të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë.
Hapja e negociatave nuk nënkupton anëtarësim të menjëhershëm, pasi procesi pritet të zgjasë me vite dhe kërkon përmbushjen e një sërë kriteresh politike, ekonomike dhe ligjore, si dhe miratimin unanim të të gjitha vendeve anëtare të BE-së në çdo fazë të negociatave.



