Trump pretendon se Evropa po përballet me kolaps nëse nuk e trajton çështjen e imigracionit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi të martën se Evropa do të pësojë kolaps nëse nuk e trajton çështjen e imigracionit, duke iu referuar protestave të fundit në Francë, raporton Anadolu.
“Bëhet fjalë për imigracionin”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale, kur u pyet nëse arsimi mund t’i ndalonte trazirat.
“Ata duhet të korrigjojnë mënyrën se si veprojnë, përndryshe nuk do të mbetet më Evropë”, shtoi ai.
“Nëse shikoni se çfarë po ndodh në Francë, unë merrem me këto gjëra prej shumë kohësh… Nuk kam parë kurrë diçka të tillë. Nuk ishte thjesht një trazirë e vogël. Nuk ishte thjesht një protestë e vogël. Ishte një revolucion i mirëfilltë dhe ai vazhdon”, tha ai.
“Kur shikoni Francën, kjo ndodhi edhe në Itali, në një shkallë më të vogël, por është aty. Situata po zien”, tha Trump. “Do t’ju duhet t’i largoni ata njerëz që janë kryengritës. Do t’ju duhet t’i nxirrni jashtë vendit”, theksoi më tej presidenti amerikan.
“Nëse nuk i largoni, nuk do të keni më Francë”, shtoi ai.
I pyetur nëse do ta mbështeste Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale të Francës vitin e ardhshëm, Trump tha: “Nuk e njoh. Nuk jam takuar me të, por mendoj se ajo u trajtua padrejtësisht”.
“Mua më duket si instrumentalizim i drejtësisë ajo që bënë kundër saj”, shtoi ai.



