Trump për 100 ditët e tij të para: Unë drejtoj vendin dhe botën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përdorur një ton të zhurmshëm dhe sfidues në komentet e tij të fundit derisa përgatitet të shënojë 100 ditët e para të presidencës së tij, transmeton Anadolu.
Trump pritet të arrijë këtë moment historik nesër pas më shumë se tre muajsh në të cilat ai është mbështetur shumë në urdhrat ekzekutiv dhe ekipin e diskutueshëm të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë të udhëhequr nga Elon Musk për të pastruar dhe ri-organizuar qeverinë federale, si dhe për të zgjeruar gjerësinë e kompentencave presidenciale.
“Herën e parë, kisha dy gjëra për të bërë, të drejtoja vendin dhe të mbijetoja. I kisha gjithë këta njerëz të korruptuar”, tha Trump në një intervistë për revistën ‘The Atlantic’, duke iu referuar mandatit të tij të parë në detyrë.
“Dhe, herën e dytë, unë drejtoj vendin dhe botën”, shtoi ai.
I pyetur nëse po argëtohet më shumë gjatë mandatit të tij të dytë në detyrë, Trump tha: “Po, argëtohem shumë, duke marrë parasysh atë që bëj. E dini, ajo që bëj është një gjë kaq serioze”.
Trump mohoi se ka kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë për metodat ligjore përmes të cilave mund të kandidojë për një mandat të tretë në vitin 2028, pavarësisht ndalimeve kushtetuese për këdo që kërkon më shumë se dy mandate në detyrë.
Megjithatë, ai e mbajti derën hapur për të ndjekur një tjetër kandidim për Shtëpinë e Bardhë.
Trump tha se mbështetësit e tij i kërkojnë me ngulm ta bëjë këtë.
“Nuk është diçka që po kërkoj ta bëj. Dhe, mendoj se do të ishte një gjë shumë e vështirë për t’u bërë”, tha ai.
Organizata Trump tashmë po shet kapela Trump 2028 për 50 dollarë, duke iu referuar vitit të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
I pyetur për trazirat e vazhdueshme në Pentagon, derisa Pete Hegseth vazhdon të përfshihet në polemika, Trump qëndroi në mbështetje të sekretarit të tij të mbrojtjes.
“Mendoj se ai do ta mbledhë veten. Pata një bisedë me të, një bisedë pozitive, por bisedova me të”, tha ai.