Trump: Liderët e Izraelit dhe Libanit pritet të bisedojnë sot

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se liderët e Izraelit dhe Libanit sot do të bisedojnë drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin për herë të parë në rreth tre dekada, transmeton Anadolu.
“Po përpiqemi të krijojmë pak hapësirë frymëmarrjeje mes Izraelit dhe Libanit. Ka kaluar shumë kohë që kur dy liderët kanë folur, rreth 34 vjet. Do të ndodhë nesër”, shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.
Njoftimi vjen pas një takimi të martën në Departamentin e Shtetit midis ambasadores së Libanit, Nada Hamadeh dhe ambasadorit të Izraelit, Yechiel Leiter, të organizuar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, së bashku me ambasadorin e SHBA-së në Liban, Michel Issa, këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Michael Needham dhe ambasadorin e SHBA-së në OKB, Mike Waltz.
Grupi Hezbollah nuk ishte i përfaqësuar në takim.
Javën e kaluar, Trump tha se i kishte kërkuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të reduktojë sulmet ndaj Libanit dhe se i ishte thënë që Izraeli do t’i “zvogëlojë” operacionet.
Izraeli ka vazhduar sulmet në jug të Libanit pas një goditjeje ndërkufitare nga Hezbollahu më 2 mars, pavarësisht një armëpushimi të nëntorit 2024.
Autoritetet shëndetësore libaneze thonë se më shumë se 2 mijë njerëz janë vrarë dhe mbi 1 milion janë zhvendosur që nga marsi.



