Tridhjetë ditë paraburgim për personat që abuzuan me pensionet e invaliditetit dhe ndihmën për kujdes të veçantë

Nëntë persona janë dërguar në paraburgim, ndërsa pesë të tjerë në arrest shtëpiak në kuadër të hetimeve për abuzime me dhënien e shtesave për kujdes të veçantë dhe pensione invaliditeti, njoftoi Gjykata Penale.

“Gjyqtarët e procedurës paraprake pranë Gjykatës Penale Themelore Shkup, të cilët gjatë ditës së djeshme vepruan sipas propozimit të Prokurorisë Publike për caktimin e masave të sigurimit të pranisë dhe masave të kujdesit ndaj 24 personave – prej të cilëve 23 janë paraqitur në gjykatë, ndërsa një është ende i paarritshëm për autoritetet – kanë marrë vendime si vijon: për 9 persona është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë, për 5 persona arrest shtëpiak, dhe për 9 të tjerë masa kujdesi që përfshijnë detyrimin për paraqitje në gjykatë ose para një zyrtari të autorizuar, si dhe konfiskimin e përkohshëm të pasaportës dhe ndalimin e lëshimit të një të reje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.

Personat janë të dyshuar për disa vepra penale të lidhura me aksionin e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, që ka të bëjë me keqpërdorimet gjatë vlerësimit të kushteve për përfitimin e ndihmës financiare për kujdes nga persona të tjerë dhe ndihmën për personat me aftësi të kufizuara apo të paaftë për jetë të pavarur.

Dje, në disa lokacione në Shkup, Veles, Tetovë dhe Gostivar janë kryer bastisje, ku janë arrestuar 23 persona. Prokurori publik ka urdhëruar hetim ndaj gjithsej 49 personave. Sipas njoftimit të Prokurorisë, 23 të arrestuarit janë pjesë e një grupi kriminal që me dokumentacion të falsifikuar kanë siguruar përfitime për ndihmë të veçantë dhe pension invaliditeti. Bëhet fjalë për mjekë specialistë nga spitale të ndryshme dhe punonjës socialë. Të dyshuarit e tjerë përfshijnë edhe tre mjekë familjarë për shpërdorim të autorizimeve, si dhe persona që u kanë ofruar apo dhënë ryshfet mjekëve të dyshuar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button