Tre raste të reja me ethet e Nilit Perëndimor, numri i të infektuarve arrin në 34

Janë konfirmuar tre raste të reja me ethet e Nilit Perëndimor, me çka numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara ka arritur në 34, bëjnë të ditur nga Qendra e Shëndetit Publik – Shkup.
Për herë të parë këtë sezon, virusi është zbuluar edhe te një banor i Haraçinës. Numri më i madh i rasteve është regjistruar në komunat Kisela Vodë dhe Aerodrom, ndërsa pothuajse gjysma e të infektuarve janë nga Draçeva.
Epidemiologia Ljuljzime Bajrami nga Qendra e Shëndetit Publik – Shkup tha se në Haraçinë ka kanale, pishina dhe ujëra të ndenjura, të cilat mund të krijojnë kushte të përshtatshme për shumimin e mushkonjave.
Sipas saj, vitin e ardhshëm dezinsektimi duhet të nisë më herët, ndërsa duhet të analizohet edhe nëse mushkonjat kanë zhvilluar rezistencë ndaj preparateve që përdoren aktualisht, në mënyrë që ato të zëvendësohen nëse është e nevojshme.
Deri më tani në vend janë regjistruar edhe dy raste me përfundim fatal nga ethet e Nilit Perëndimor. Bëhet fjalë për pacientë të moshës 72 dhe 83 vjeç, të cilët, krahas infeksionit viral, kanë pasur edhe disa sëmundje kronike.
Qendra e Shëndetit Publik – Shkup më 12 gusht shpalli epidemi të etheve të Nilit Perëndimor në disa komuna dhe vendbanime të Shkupit, përfshirë Kisela Vodën, Gazi Babën, Aerodromin, Butelin dhe Ilindenin, si dhe Draçevën, Përzhinën, Lisiçen e Poshtme, Kadinon dhe Jurumlerin.



