Thaçi thotë se Fronti Evropian i Ali Ahmetit është më i fortë se i Albin Kurtit me VLEN

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Menduh Thaçi e ka quajtur si ndërhyrje në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut mbështetjen e Albin Kurtit për opozitën shqiptare për të mbuluar siç ka thënë, dështimet e tij. Thaçi i cili së fundmi u bë bashkë me një prej kundërshtarëve më jetëgjatë politik, Ali Ahmetin, ka thënë për Euronews Albania se Kurti ka tensionuar situatën mes shqiptarëve në RMV, raporton Alfax.
“Tensioni shumë u rrit edhe për shkak të ngjarjeve të vitit të fundit, ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë dhe tentativës së Rusisë për të treguar forcën në Ballkan. Tensionimit të situatës në zgjedhjet në RMV i ndihmoi edhe ndërhyrja e Albin Kurtit. Ai ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë. Teksa ishte e tensionuar situata te maqedonasit etnik, tani u tensionua edhe te shqiptarët. Nuk shoh ndonjë arsye politike për ndërhyrjen e tij, arsyeja është personale”, ka thënë Thaçi.
Thaçi dhe PDSH-ja e tij ishin të parët që u bënë pjesë e Frontit Evropian të BDI-së, edhe pse për vite me radhë ai dhe partia e tij kishin vetëm kritika dhe ofendime për ta. Qasja ndyshoi kur Thaçi u bë pjesë e pushtetit dhe retorika nga skajshmërisht negative u shndërrua në skajshmërisht pozitive.Alfax.



