Tetë ditë paraburgim dhe akuza penale për truprojën e Mickoskit për sulm fizik ndaj gruas së tij

Njësia për Krime të Dhunshme në SPB Shkup ngriti padi penale me procedurë urgjente kundër 39-vjeçarit R. R., i punësuar si zyrtar policie në Njësinë e Sigurisë, për sulm fizik ndaj gruas së tij, transmeton Portalb.mk.

Sipas padisë së paraqitur në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), zyrtari i policisë akuzohet për veprën penale “lëndim trupor” të kryer gjatë dhunës në familje.

Incidenti ndodhi më 2 maj, kur R. R. sulmoi fizikisht gruan e tij 37-vjeçare, dhe të dëmtuarës iu thye edhe telefoni celular.

Menjëherë pas privimit nga liria, R. R. u nxor para një gjyqtari paraprak, i cili urdhëroi paraburgimin e tij për tetë ditë.

Paralelisht me procedurën gjyqësore, Departamenti i Kontrollit të Brendshëm në MPB do të paraqesë propozim për të filluar procedurë kundër zyrtarit për shkelje të rendit dhe disiplinës së punës, dhe do të vendosë masa të detyrueshme për largim nga vendi i punës.

Zyrtari ishte pjesë e sigurimit më të gjerë të kryeministrit Hristijan Mickoski.

Ai e konfirmoi informacionin sot, duke shtuar se gruaja e sulmuar është vajza e kolegut të tij nga fakulteti.

Sipas Mickoskit, rasti është provë e qartë se nuk ka më njerëz të privilegjuar në vend dhe se ligjet zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button