Të paktën 2 persona të plagosur nga shpërthimi në një stacion treni në Gjermani

Të paktën dy persona pësuan lëndime të lehta nga një shpërthim në një stacion treni në qytetin jugor gjerman Augsburg, njoftoi policia, transmeton Anadolu.
Ndërtesa e stacionit dhe shina 1 aktualisht janë të mbyllura, tha një zëdhënës i policisë për të përditshmen Bild. Shërbimet hekurudhore janë ndërprerë dhe trenat po devijohen në shinat e tjera.
Nga shpërthimi u dëmtuan gjithashtu xhamat e dritareve. Ekspertë të eksplozivëve nga Zyra Shtetërore e Policisë Kriminale të Bavarisë ndodhen në vendngjarje, sipas policisë.
Shkaku i shpërthimit ende nuk dihet.
Edhe transporti publik përreth ndërtesës së stacionit të trenit është prekur.
Policia po heton gjithashtu dyshimet për sabotim në një nënstacion elektrik të Amprion në Bergheim, në shtetin federal të Rinit Verior-Vestfalisë, raportoi transmetuesi publik WDR.
Një qark i shkurtër nxori jashtë funksionit disa linja elektrike, por furnizimi më i gjerë me energji elektrike nuk u prek.
Policia dyshon se incidenti ishte i qëllimshëm dhe jo rezultat i një defekti teknik. Hetuesit po shqyrtojnë nëse ai mund të jetë i lidhur me sabotimin e dyshuar në Brandenburg.
– Dyshime për sabotim në një termocentral në Brandenburg
Incidenti ndodhi pasi persona të paidentifikuar kryen një sulm sabotazhi ndaj një impianti elektrik në një termocentral të madh në shtetin lindor federal Brandenburg të martën, sipas autoriteteve.
Ministri i Brendshëm i Brandenburgut, Jan Redmann, tha se të dyshuarit përdorën pajisje që hedhin predha për të shkaktuar një qark të shkurtër në një linjë me tension jashtëzakonisht të lartë pranë termocentralit Jaenschwalde.
“Nuk mund të konfirmojmë aktualisht se atje ka shpërthyer një pajisje shpërthyese apo diçka e tillë”, tha Redmann.
Policia tha më herët se pajisje që duket se ishin bërë nga mjete piroteknike ishin gjetur në një nënstacion elektrik, megjithëse raportet ndryshonin lidhur me faktin nëse ndonjë prej tyre kishte shpërthyer.
Bild raportoi se policia kishte konfirmuar një shpërthim dhe kishte zbuluar disa pajisje të improvizuara ndezëse dhe shpërthyese, jo të gjitha prej të cilave kishin shpërthyer.
Megjithatë, transmetuesi publik RBB citoi zëdhënësen e policisë Stefanie Pilz të thoshte se nuk kishte ndodhur asnjë shpërthim.
Operatori i rrjetit 50Hertz tha se autorë të panjohur dëmtuan disa linja transmetimi, duke ndërprerë përkohësisht funksionimin e tyre. Të gjitha linjat u rikthyen më vonë në funksion, ndërsa furnizimi publik me energji elektrike nuk u prek.
Impianti Jaenschwalde pranë kufirit me Poloninë është një nga termocentralet më të mëdha të Gjermanisë që punojnë me linjit.



