Limani- Özdemir Göktaş: Maqedonia e Veriut dhe Turqia janë vende mike, mbështetja dhe shkëmbimi i përvojave kanë rëndësi të madhe
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, gjatë vizitës dyditore në Turqi, në kuadër të Samitit të VI. Ndërkombëtar për Gratë dhe Drejtësinë, ka zhvilluar një takim dypalësh me Ministrin e Familjes dhe Politikave Sociale të Republikës së Turqisë, Mahinur Özdemir Göktaş.
Takimi i dy ministrave ishte një mundësi për të diskutuar disa çështje që janë në kompetencë të dy ministrive, me shkëmbimin e përvojave pozitive që do të nënkuptonin përmirësimin e politikave dhe praktikës aktuale.
Të dy vendet kanë bashkëpunim afatgjatë në fushat që i mbulojnë dhe këtë e vërtetojnë marrëveshjet e lidhura për bashkëpunim në fushën e punës, sigurimeve sociale dhe punësimit, si dhe Deklarata e nënshkruar e synimeve për bashkëpunim në fushën e politikës sociale, ku janë përfshirë çështje që lidhen me shërbimet sociale për familjen, gratë, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.
Maqedonia dhe Turqia po zbatojnë me sukses Marrëveshjen e Sigurimeve Sociale, me të cilën qytetarët nga RMV-ja dhe Turqia ushtrojnë të drejtat e tyre nga sigurimi dhe kujdesi shëndetësor, sigurimi pensional dhe invalidor, duke përfshirë të drejtën për pensionin e pleqërisë, të drejtën për pension invaliditeti, të drejtën e pensionit familjar, ushtrimin e të drejtës së sigurimit në rast aksidenti në punë dhe sëmundjes profesionale, të drejtën e sigurimit në rast papunësie dhe shtesë për fëmijët.
Ministri Limani theksoi se investimi i Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut është i një rëndësie të madhe, duke pasur parasysh se do të krijojë vende të reja pune dhe do të përmirësojë gjendjen demografike të vendit. Në takim u diskutua edhe për politikat rinore që Ministria mbulon në drejtim të krijimit të mundësive për të rinjtë dhe mbajtjes së tyre në vend, si dhe përfshirja e kategorive të rrezikuara të qytetarëve, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuara, romët. Duke vepruar kështu, u theksua rëndësia e familjes si thelbi bazë në shoqëri, dhe si rrjedhim rëndësia e politikave që synojnë mbështetjen e familjeve.
Palët e theksuan përkushtimin e tyre për forcimin e bashkëpunimit dhe kjo do të konfirmohet me nënshkrimin e një Memorandumi të ri Bashkëpunimi ndërmjet dy ministrive për fushat nën juridiksionin e tyre.