Spiropali me apel drejtuar Ramës: Dorëhiqu!

Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, i është drejtuar kryeministrit Edi Rama me një letër të gjatë publike, në të cilën kërkon përgjegjësi politike, dialog me protestuesit dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes, pas protestave dhe përplasjeve në Tiranë.
Në reagimin e saj, të publikuar në formën e një letre personale drejtuar Ramës, Spiropali argumenton se zemërimi i qytetarëve nuk lidhet vetëm me një ngjarje të veçantë, por me një pakënaqësi më të gjerë ndaj mënyrës se si funksionojnë institucionet dhe përfaqësimi politik.
“Këtë herë ata nuk kanë dalë vetëm për kangjellat. Kanë dalë për mënyrën se si vendoset për ta pa prezencën e tyre”, shkruan Spiropali, duke e lidhur protestën me shqetësimet për punësimin, meritokracinë, ekonominë, drejtësinë dhe besimin te institucionet.
Ajo thekson se dhuna nuk mund të jetë rruga e ndryshimit politik, por paralajmëron se as reagimi vetëm përmes forcave të rendit nuk mund ta zgjidhë krizën.
“Kjo protestë kërkon një përgjigje politike, jo vetëm përgjigje policore”, shprehet ish-ministrja, e cila kërkon një tryezë të vërtetë dialogu kombëtar për reformat themelore, një sistem zgjedhor që garanton përfaqësim real dhe ndarjen e partisë nga shteti.
Në letrën e saj, Spiropali i kujton Ramës se shumica parlamentare nuk e përjashton përgjegjësinë ndaj qytetarëve, duke iu referuar edhe 82 mandateve të Partisë Socialiste.
“82 mandatet nuk janë mandat për të mos dhënë llogari. Janë përgjegjësi për të qeverisur edhe për ata që nuk na kanë votuar”, thekson ajo.
Spiropali kërkon gjithashtu ndryshime brenda Partisë Socialiste, zgjedhje të vërteta në strukturat e saj, më shumë meritokraci dhe hapjen e rrugës për një brez të ri drejtuesish. Sipas saj, partia duhet të kalojë nga kultura e individit te kultura e institucioneve.
“Një parti që nuk di të ndryshojë nga brenda, shpejt detyrohet të ndryshojë nga jashtë. Dhe ndryshimi i imponuar nga rruga është gjithmonë më i dhimbshëm se ndryshimi i menduar në kohë”, shkruan ish-ministrja.
Një tjetër pikë e rëndësishme e reagimit është mundësia e zgjedhjeve të reja, të cilat Spiropali thotë se nuk duhet të shihen si tabu, nëse bëhen pjesë e një zgjidhjeje demokratike dhe garantohen konkurrenca e lirë dhe pjesëmarrja e të gjithëve.
Ajo kritikon gjithashtu lidhjet mes pushtetit dhe mundësive ekonomike, duke vënë në dukje se korrupsioni nuk luftohet vetëm përmes SPAK-ut dhe prokurorisë, por edhe përmes ndërtimit të institucioneve dhe një modeli ekonomik ku suksesi nuk varet nga lidhjet politike.
Në përfundim të letrës, Spiropali i kërkon Ramës të mos e shohë protestën vetëm si kërcënim për pushtetin, por si një mundësi për të kuptuar pakënaqësitë e qytetarëve dhe për të ndërmarrë ndryshime.
“Nuk mjafton të fitosh zgjedhje. Tani duhet të rikthesh besimin. Tani duhet të fitojë Shqipëria”, përfundon ajo, duke e mbyllur letrën me mesazhin: “Shqipëria mbi të gjitha. Jo partia mbi të gjitha. As pushteti mbi të gjitha.”



