Sot shpallet vendimi për Shtekllin dhe katër të akuzuarit në rastin e trafikut të drogës

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot pritet të shpallet vendimi për rastin kundër Rade Trajkovski – Shtekli dhe katër të akuzuarve të tjerë, i lidhur me një grup të organizuar kriminal për prodhim dhe tregti të paligjshme me kokainë dhe marihuanë.
Fillimisht, në këtë rast ishin përfshirë 16 persona, nga të cilët shtatë arritën marrëveshje dhe u dënuan me burg nga 3 deri në 3.5 vjet, ndërsa katër të tjerë pranuan fajësinë dhe procedura për ta u veçua.
Sipas aktakuzës, grupi ka vepruar në periudhën nga janari 2024 deri në janar 2025 dhe ka qenë i organizuar mirë, me role të qarta, nga furnizimi deri te shitja e kokainës dhe marihuanës. Prokuroria pretendon se i akuzuari kryesor, Rade Trajkovski – Shtekli, ka qenë organizatori dhe koordinatori, i cili ka mbajtur kontakte me persona nga jashtë dhe ndërmjetës vendas për furnizimin fillestar me kokainë, duke dhënë udhëzime për zgjerimin e rrjetit.
Sipas provave të Prokurorisë, droga është ruajtur në banesa të marra me qira, ndërsa është shitur me çmime nga 4.500 deri në 6.000 denarë për gram kokainë dhe nga 200 deri në 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi është zhvilluar përmes aplikacioneve të mbrojtura si Snapchat, ndërsa prova kyçe janë siguruar përmes një sistemi për analizë të telefonave mobilë.
Në fillim të procesit gjyqësor, i akuzuari kryesor deklaroi se nuk e kupton aktakuzën, ndërsa të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm. Mbrojtja e Trajkovskit theksoi se do të dëshmojë se ai nuk ka formuar dhe as organizuar grup kriminal, duke argumentuar se pretendimet e Prokurorisë bazohen në supozime.



