Skandal me kanabisin mjekësor: Kallëzim penal ndaj ish-zyrtares së Ministrisë së Shëndetësisë

Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj një 39-vjeçareje nga Shkupi, për shkak të dyshimeve për punë të pandërgjegjshme në shërbim, lidhur me ushtrimin e detyrës së saj në Ministrinë e Shëndetësisë.
Siç njofton MPB-ja, Njësia për Kriminalitet Ekonomik në Sveti Nikollë ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Sveti Nikollë kundër D.P. (39) nga Shkupi, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “punë e pandërgjegjshme në shërbim”.
Sipas policisë, në periudhën nga 18 nëntori 2022 deri më 21 gusht 2024, në cilësinë e kryetares së Komisionit për vlerësimin e përmbushjes së kushteve lidhur me hapësirat, pajisjet dhe kuadrin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, e dyshuara i ka kryer në mënyrë të pandërgjegjshme detyrat e saj zyrtare.
MPB-ja thekson se, megjithëse sipas Ligjit për kontrollin e drogave narkotike dhe substancave psikotrope kishte detyrim të organizonte të paktën dy kontrolle gjatë periudhës nga mbjellja deri në korrjen e kanabisit, ajo nuk ka organizuar mbikëqyrje inspektuese në një person juridik nga Sveti Nikolla që merrej me prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
Në njoftim shtohet se, pavarësisht njoftimeve që kompania kishte dorëzuar gjatë viteve 2022 dhe 2023, nuk janë kryer kontrollet e parashikuara me ligj. Sipas MPB-së, kjo i ka mundësuar personit juridik të realizojë një tepricë prej 56 kilogramësh kanabis, fakt i konstatuar gjatë një kontrolli të kryer më 19 shkurt 2025.
Për rastin është paraqitur kallëzim penal, ndërsa procedura e mëtejshme është në kompetencë të Prokurorisë Themelore Publike.



