Siguria në vendin e punës, ligjet ekzistojnë por neglizhohen nga punëdhënësit
Siguria në vendin e punës është një temë që duhet t’i jepet shumë rëndësi për shkak se ndodhin aksidente të shumta të cilat ndonjëherë përfundojnë me fatalitet, tha dje në emisionin Ftesë në Studio në Alsat, Arbër Xhihani, auditues social i licencuar ndërkombëtarisht.
I ftuar për të biseduar rreth standardeve dhe kulturës që duhet të krijohen për të pasur siguri në vendin e punës, Xhihani theksoi se ka ligje të shumta që e rregullojnë standardin e sigurisë në vendet e punës, por këto ligje shpesh neglizhohen nga punëdhënësit.
“Pikë së pari duhet të zbathet kërkesat ligjore që ligjet mbi sigurinë dhe shëndetin në punë që secili vend ka. Duhet thënë që ligji rregullon mirë të gjitha detyrat dhe kërkesat që çdo punonjës duhet të implementojë në ambient e punës por më tutje varet prej dëshirës dhe vullnetit të punëdhënësit për t’ju përmbajtur ktyre ligjeve”, tha Arbër Xhihani, auditues social.
Xhihani theksoi se përveç se neglizhohet siguria në vendin e punës, gjithashtu mungojnë edhe raportimet për aksidentet në punë. Punëdhënësit shpesh mundohen ti shmangen raportimeve, sepse më pas vijnë përgjegjësitë që ata duhet të mbajnë. Ai këshillon që edhe punonjësit të jenë më të ndërgjegjshëm për sigurinë shëndetësore në vendet ku punojnë.