Shkupi në kaos, transporti publik ka bllokuar qendrën e qytetit

Kaosi me transportin publik ka bllokuar qytetin e Shkupit. Në rrugë dëgjohen sirena të automjeteve ndërsa neper stacione qytetarët që në mëngjes u përballën me pritje të gjata.

Sipas Sindikatës së NQP-së, në kryeqytet qarkullojnë vetëm 25 autobusë, ndërsa pjesa tjetër janë të parkuar në depot e autobusëve në Autokomandë dhe Gjorçe Petrov për shkak të mungesës së derivateve. Shkak për mungesën e naftës për autobusët sipas sindikatës është borxh i papaguar ndaj furnizuesit të karburanteve.

Nga ana tjetër, transportuesit privat të cilët për shumë kohë qarkullojnë vetëm pas orës 17:00 për shkak të pagesës së ulët për kilometër paralajmëruan se janë të gatshëm të zbusin krizën me transportin nëse plotësohen kërkesat e tyre.

“Ne kemi në dispozicion rreth 200 autobusë dhe nëse krijohen kushte ne mund të fillojmë punën menjëherë dhe të ndihmojmë NQP-në sepse e dimë të gjithë se kanë mungesë të autobusëve. Autobusët që i kemi ne nuk janë të shfrytëzuar maksimalisht, punën që ne e shërbejmë mund ta mbulojmë me 120 autobusë. Kemi tepër autobusë të cilët mund t’i shfrytëzojmë që të ndihmojmë NQP-në deri sa të rregullohet puna te ata. Çfarë pritni nga këshilli sot? Po, presim që të marrin vendime adekuate në drejtim që të ketë mirëkuptim për rritjen e çmimit dhe konsolidimin e orareve të punës”, deklaroi Hisen Halili – Shofer autobusëve privat.

Transportuesit privat të NQP-së, kërkuan nga qytetarët edhe mirëkuptim për shkak siç thanë situatës që nuk mund të mbulojnë as shpenzimet me çmimin për kilometër që tani kanë.

“Duam që të lusim qytetarët që të na kuptojnë se ne pa pagesë të rregullt, pa rritje të çmimit nuk kemi se si të funksionojmë në sistem. Kërkojmë që të rritet çmimi, të ndryshohen oraret e vozitjes dhe të kemi pagesë të rregullt. Do t’i rinovojmë autobusët dhe transporti publik do ta arrijë atë nivel që duhet”, tha Jovica Zafirovski – Transportues privat.

Këshilli i Qytetit të Shkupit për sot në ora 18:00 ka paralajmëruar se do të mbajë seancë të jashtëzakonshme ku do të kërkohet nga autoritetet, para së gjithash nga kryetarja Danella Arsovska dhe drejtorët, që urgjentisht të normalizohet transporti publik në Shkup dhe të ngritët niveli i higjienës në kryeqytet.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button