Shkon në 13 numri i nxënëseve në Gjakovë që dyshohet se kanë lënduar veten të nxitura nga “sfida” në TikTok

Ka shkuar në 13 numri i rasteve të konfirmuara i nxënëseve që i kanë lënduar duart e tyre me mjete të mprehta në Gjakovë.

Dyshohet se këto nxënëse janë të klasave 6 deri 9 të shkollave në Gjakovë dhe e kanë lënduar veten në duar me mjete të mprehta pasi janë nxitur nga një video (lojë) në ‘TikTok’.

Se ka shkuar në 13 numri i nxënëseve që e kanë lënduar veten në Gjakovë e ka konfirmuar drejtoresha e Arsimit e Komunës së Gjakovës, Eranda Kumnova-Baçi.

Sipas drejtoreshës Kumnova-Baçi, rastet janë shtuar pasi janë realizuar kontrollat e nxënëseve në klasa nga drejtorët e shkollave, së bashku me psikologun dhe kujdestarin e klasës.

Të gjitha këto raste janë duke u hetuar nga Policia dhe zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Sheremet Elezaj, e ka konfirmuar se është shtuar numri i nxënëseve që e kanë lënduar veten pasi janë kontrolluar shkollat dhe nxënësit.

Elezaj e ka konfirmuar po ashtu se në të gjitha rastet në Gjakovë bëhet fjalë për nxënëse që e kanë lënduar veten.

“Janë intervistuar edhe dhjetë nxënëse të tjera, mbi dyshimin se kanë lënduar veten në periudha të ndryshme kohore”, është përgjigjur Elezaj.

E kontrollat te nxënësit janë realizuar nga drejtorët e shkollave, me kërkesë të drejtoreshës Kumnova-Baçit, pasi u raportua fillimisht se tri nxënëse e kanë lënduar veten në duar me mjete të mprehta, më 08.10.2024.

“Sot masi u kam thanë drejtorëve [të shkollave] që me hy në kontrolla në krejt klasat, d.m.th. në ora 16:00 e kam marrë prej Policisë një numër deri në 13 [raste]… Të konfirmuara janë 13 raste” , ka thënë Kumnova-Baçi.

Kumnova-Baçi nuk ka pranuar të japë informacione se të cilave shkolla janë nxënësit që e kanë lënduar veten në duar, por vetëm ka thënë se janë të shkollave të ndryshme në Gjakovë dhe se të gjitha janë vajza.

“Krejt janë vajza…[Janë të lënduara] në duar, e njëjta, d.m.th. të njëjtat shenja janë, në dorë, vetëm në të dy duart”, tha ajo.

Pasi dyshohet se të 13 nxënëset e kanë lënduar veten të nxitura nga një video (lojë) në ‘Tiktok’, drejtoresha Kumnova-Baçi është interesuar ta shohë këtë video (lojë) dhe dyshon se njëjtë kanë vepruar edhe nxënëset në Gjakovë që i kanë lënduar duart e tyre.

“Kjo është një sfidë është në ‘TikTok’ se unë hina edhe e pash masnej se më interesojke kështu. Ata e marrin mprehësen e lapsave, e kanë një pjesë të mprehtë që hjeket me një kështu të vogël që i mprejnë lapsat, a po e din, është si një brisk i vogël. Atë e hjekin dhe atë e marrin me veti, e përdorin me bo, d.m.th. me atë e bëjnë [lëndimin]” – ka treguar Kumnova-Baçi.

Tutje, përveç 13 rasteve të konfirmuara të nxënëseve që e kanë lënduar veten e që janë duke u hetuar nga Policia, sipas Kumnova-Baçit, ka edhe raste të tjera të nxënësve që janë duke u intervistuar në Polici për momentin e që dyshohet se katër prej tyre janë nxënës të shkollës së mesme të lartë.

“Hetimet janë t’u i kry Policia, mu vetëm po më informojnë kohë pas kohe për rastet e gjetura. Deri në ora 16:00, 13 [raste] kanë qenë të konfirmuara nga Policia, po që ma thanë me telefon. Nesër në mëngjes e keni raportin zyrtar [të Policisë]. Pesë të tjera [raste] ishin duke i intervistu”, ka shtuar Kumnova-Baçi.

Ajo e ka konfirmuar se kontrollat e nxënësve në klasa nga drejtorët e psikologët e shkollave dhe kujdestarët e klasave në Gjakovë do të vazhdojnë dhe se nuk do t’u lejohet nxënësve përdorimi i telefonit gjatë kohës sa janë në shkollë.

“Po, edhe nesër [do të vazhdojmë me kontrolla të nxënësve në klasa], edhe i kemi ndalu prej nesër asnjë telefon. Me zbatu në përpikmëri edhe rregulloren komunale të Arsimit edhe udhëzimin e MASHTI-t që asnjë telefon ma në shkollë s’ka me pas”, ka theksuar Kumanova-Baçi.

Si rrjedhojë, ajo ka njoftuar se drejtorët e shkollave pritet të takohen me prindërit e nxënësve më 09.10.2024, për shkak të rasteve të nxënëseve që kanë lënduar veten me mjete të mprehta.

Tri rastet e para të nxënëseve në Gjakovë që e kanë lënduar veten u raportuan në Policinë e Kosovës më 07.10.2024 nga Kumnova- Baçi, ndërsa janë duke u trajtuar edhe nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Policia njoftoi më 08.10.2024 se janë duke i hetuar tri rastet e nxënëseve që i raportoi drejtoresha Kumnova- Baçi dhe është inicuar rasti – Shtytje në vetëvrasje.

Media e ka pyetur Prokurorinë në Gjakovë lidhur me veprimet që janë ndërmarrë deri më tani nga ana e tyre për tri rastet e nxënëseve që e kanë lënduar veten.

“Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e duhura hetimore, ashtu që veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar në bashkëpunim me Policinë. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të japim më shumë informata lidhur me këtë rast” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjakovës më 08.10.2024.

Me këtë numër të nxënëseve në Gjakovë që kanë lënduar veten në duar për shkak të video (lojës) në ‘TikTok’, këtë vit Kosova është ballafaquar me 33 nxënës viktima të këtij trendi.

Më 30.05.2024 janë raportuar 17 raste të nxënëseve të shkollave fillore të mesme të ulët “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë që i kanë gërvishtur duart e tyre, të nxitur nga një video (lojë) në “TikTok”.

Ndërsa, më 31.05.2024, portali ka raportuar se tre nxënës nën moshën 14-vjeçare të shkollës fillore të mesme të ulët “17 Shkurti” në fshatin Gllogovc të komunës së Lipjanit, kishin lënduar dorën e tyre të majtë me mjete të mprehta, të nxitur po ashtu nga një video (lojë) në “TikTok”.

Ministria e Arsimit nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar kur u raportuan 20 nxënësit e shkollave në Lipjan e Fushë-Kosovë se kanë lënduar veten, e portali ka pyetur Ministrinë se a do të reagojë pas këtyre rasteve në Gjakovë, por nuk ka pranuar përgjigje.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button