SHBA pezullon sanksionet e reja ndaj Rusisë, Kremlini e quan moment historik

ShBA-ja po largohet gjithnjë e më shumë nga Ukraina dhe po afrohet me Rusinë.
Shembulli më i fundit është vendimi i presidentit amerikan, Donald Trumpit për të pezulluar sanksionet e reja dhe gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë, pak para se ato të hynin në fuqi.
Ky vendim ka një simbolikë të fortë politike dhe është mirëpritur nga Kremlini, ku është cilësuar si një “moment i rëndësishëm dhe vërtet historik”.
Me një dekret, presidenti amerikan pezulloi zbatimin e të ashtuquajturit “Akti Graham”, të emërtuar sipas senatorit republikan Lindsey Graham, i cili ka qenë një mbështetës i rëndësishëm i Ukrainës.
Arsyetimi i Trumpit ishte se ligji, “në këtë moment”, nuk është në interesin kombëtar të ShBA-së, shkruan Bild, transmeton Klankosova.tv
Vendimi konsiderohet i rëndësishëm për dy arsye. Së pari, ShBA-ja po tërhiqet nga një paketë masash që do të mund të godiste rëndë modelin ekonomik të Rusisë.
Përveç sanksioneve ndaj rrethit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, amerikanët synonin të ndëshkonin edhe shtetet e treta që zhvillojnë tregti me Moskën.
Së dyti, kjo nismë shihej si një trashëgimi politike e Lindsey Grahamit, i cili gjatë karrierës së tij kishte qenë një nga mbështetësit e rëndësishëm të Ukrainës.
Në Moskë, vendimi i Trumpit është pritur me entuziazëm. Negociatori i Kremlinit, Kirill Dmitrijev, deklaroi se sanksionet e planifikuara do t’i kishin shkaktuar “dëm të rëndë” ekonomisë botërore.
Sipas tij, bashkëpunimi ekonomik krijon besim dhe mund të shërbejë si bazë për një “paqe të qëndrueshme” në Ukrainë.
Dmitrijev, i lindur në Ukrainë, po zhvillon negociata në emër të Putinit me të dërguarit e posaçëm amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Megjithatë, deri më tani, këto përpjekje nuk kanë sjellë ndonjë përparim të rëndësishëm.



