SHBA: “Mundësi e veçantë” për arritjen e një marrëveshjeje të Gazës këtë javë

Këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka deklaruar se ekziston mundësia që një armëpushim në Rripin e Gazës të arrihet këtë javë, transmeton Anadolu.

“Ekziston një mundësi e veçantë që mund ta arrijmë këtë marrëveshje këtë javë para se presidenti Biden të largohet nga detyra”, tha Sullivan për Bloomberg, duke iu referuar të hënës së ardhshme kur do të betohet presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

Sullivan përsëriti se SHBA-ja ka qenë afër një armëpushimi më parë, por nuk ka kaluar vijën e finishit.

“Kështu që unë nuk mund të bëj asnjë premtim apo parashikim,” tha Sullivan, duke shtuar se ai zhvilloi një telefonatë me Brett McGurk, këshilltarin e presidentit Joe Biden për Lindjen e Mesme, si dhe gjithashtu foli edhe me kryeministrin e Katarit, një nga negociatorët kryesor izraelit.

“Dhe, ekziston një ndjenjë e përgjithshme se kjo është duke lëvizur në drejtimin e duhur”, shtoi ai.

Megjithatë, ai paralajmëroi se mbetet e panjohur si grupi palestinez Hamas do t’i përgjigjet një marrëveshjeje përfundimtare.

“Mundemi të arrijmë në një marrëveshje përfundimtare dhe më pas mund të fillojmë zbatimin në ditët në vijim, ajo është aty për t’u marrë. Pra tani, pyetja është a mund ta shfrytëzojmë të gjithë kolektivisht momentin dhe ta bëjmë këtë të ndodhë”, tha Sullivan.

Javën e kaluar, Biden u tha gazetarëve se po bëhen “disa përparime” në bisedimet për shkëmbimin e të burgosurve. Ai tha se shpreson se administrata e tij mund të ndërmjetësojë një marrëveshje të tillë para se të përfundojë më 20 janar.

Bisedimet për shkëmbimin e të burgosurve dhe armëpushimin, të ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe SHBA-ja, janë ndërprerë disa herë për shkak të kushteve të reja të vendosura nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Opozita izraelite dhe familjet e pengjeve akuzojnë Netanyahun se po pengon përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve në Gaza me Hamasin.

Që nga 7 tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vazhduar me luftën gjenocidale në Gaza që ka vrarë të paktën 46.500 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli për luftën në enklavë gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button