SHBA dhe Irani mund të rifillojnë bisedimet javën e ardhshme në Islamabad

Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit mund të rifillojnë javën e ardhshme në kryeqytetin pakistanez Islamabad, transmeton Anadolu.
Duke cituar burime të njohura me çështjen, gazeta Wall Street Journal tha se të dyja palët po punojnë me ndërmjetës për të formuluar një memorandum mirëkuptimi prej një faqeje me 14 pika, i cili do të përcaktojë kornizën për një muaj bisedimesh me synim përfundimin e konfliktit.
Drafti thuhet se përfshin diskutime mbi programin bërthamor të Iranit, uljen e tensioneve në Ngushticën e Hormuzit dhe mënyrën e mundshme të trajtimit të rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar në një vend tjetër, ndonëse çështje kyçe mbeten ende të pazgjidhura.
Sipas raportit, shkalla e lehtësimit të sanksioneve mbetet ende objekt debati dhe mund të komplikojë bisedimet. Nëse negociatat përparojnë, periudha fillestare njëmujore mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë.
Tensionet rajonale u përshkallëzuan pasi SHBA dhe Izraeli kryen sulme ndaj Iranit më 28 shkurt, duke nxitur kundërpërgjigje nga Teherani dhe duke shkaktuar ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të naftës dhe gazit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, por raundi i parë i bisedimeve në Islamabad më 11 prill nuk arriti të sigurojë një marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi më pas u zgjat nga presidenti amerikan, Donald Trump, pa një afat të caktuar.
Që nga 13 prilli, SHBA ka zbatuar një bllokadë detare që synon trafikun detar iranian në këtë rrugë strategjike ujore.



