SHBA, 3 fëmijë dhe një mësues në mesin e 5 të vdekurve nga sulmi i armatosur në një shkollë në Oregon

Pesë persona, përfshirë tre fëmijë dhe një mësues, kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë fillore në Bend, në shtetin e Oregonit në SHBA, njoftoi të enjten policia, transmeton Anadolu.
“Oficerët tanë hynë në ndërtesë dhe konfirmuan se i dyshuari kishte vdekur. Ata kontrolluan shkollën për t’u siguruar që nuk kishte kërcënime të tjera dhe më pas u dhanë ndihmën e parë emergjente viktimave”, u tha gazetarëve Mike Krantz, shefi i policisë së qytetit Bend.
“Oficerët në vendngjarje gjetën pesë persona që kishin ndërruar jetë nga plagët e marra, përfshirë të dyshuarin. Në mesin e personave të vdekur në vendngjarje janë tre fëmijë, të moshës pesë, tetë dhe 11 vjeç, si dhe një mësues”, shtoi ai.
Krantz tha se një fëmijë shtatëvjeçar dhe një mësues 54-vjeçar u dërguan në spital me “lëndime kritike”. Ai tha se i dyshuari për sulmin me armë zjarri ishte një banor 16-vjeçar i Bendit.
“Në këtë fazë, meqë hetimi po zhvillohet në mënyrë të rregullt, nuk do të japim informacione për llojin e saktë të armës apo numrin e të shtënave. Por, sipas informacionit që morëm, bëhet fjalë për një armë të gjatë”, tha ai.
Më herët, Departamenti i Policisë së qytetit Bend njoftoi se po i përgjigjej një raportimi për një person të armatosur që po qëllonte në shkollën fillore lokale “Silver Rail”.
Sheila Miller, menaxhere e komunikimit në Departamentin e Policisë së Bendit, u tha gazetarëve se në mesin e disa viktimave kishte edhe fëmijë. Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar se kush e qëlloi të dyshuarin. Miller tha se të shtënat mund të kenë ardhur nga një “person i pranishëm në vendngjarje”.
Ajo tha se i dyshuari u qëllua brenda shkollës. Miller bëri të ditur se në shkollë mësojnë rreth 400 deri në 450 fëmijë dhe punojnë më shumë se 40 pjesëtarë të stafit.
Më vonë, Krantz tha se të dyshuarin e kishte qëlluar një anëtar i komunitetit, i cili e kishte parë duke hyrë në shkollë, e kishte ndjekur brenda dhe ishte përballur me të.
Ai tha se hetimet paraprake tregojnë se sulmuesi kishte hyrë me forcë në shkollë duke qëlluar drejt dyerve të mbyllura me çelës. Kryetarja e Bashkisë së Bendit, Melanie Kebler, e cilësoi ngjarjen si një “ditë të tmerrshme” për komunitetin.
“Shkolla duhet të jetë një vend i sigurt, ku fëmijët mund të mësojnë dhe të ndihen të mbrojtur”, u tha Kebler gazetarëve.
“Askush nuk duhet të ketë frikë nga dhuna në shkollë”
Drejtori i FBI-së, Kash Patel tha se zyra e FBI-së në Portland ndodhet në vendngjarje dhe po ndihmon partnerët lokalë në hetimin e sulmit me armë zjarri. “Do të vëmë në dispozicion çdo burim që u nevojitet”, shkroi Patel në platformën sociale amerikane X.
Guvernatorja e Oregonit, Tina Kotel tha se po e ndjek nga afër situatën. “Jam mirënjohëse ndaj ekipeve të emergjencës që ndodhen në vendngjarje. Do të ndaj më shumë informacione sapo të mësoj të reja”, tha ajo.
Senatori i Oregonit, Jeff Merkley tha se ai dhe ekipi i tij po i ndiqnin nga afër raportimet për situatën me personin e armatosur. “Ndërsa vazhdojnë të dalin detaje, mendimet e mia janë me komunitetin e Bendit dhe të gjithë nxënësit e familjet e prekura. Askush nuk duhet të ketë frikë nga dhuna në shkollë”, shkroi Merkley në X.
Mbikëqyrësi i shkollave në Bend-La Pine, Steven Cook tha se janë “të tronditur dhe zemërthyer nga kjo tragjedi e pakuptimtë”. Cook shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të gjithë të prekurit nga “dhuna”.
“Asnjë fjalë nuk mund ta shprehë plotësisht dhimbjen që po përjeton komuniteti ynë. Prioritetet tona të menjëhershme janë kujdesi për nxënësit dhe stafin si dhe ndihma për organet e zbatimit të ligjit dhe ekipet e emergjencës”, tha ai.



