Saliu: Srebrenica na kujton se heshtja nuk është përgjigje dhe se kujtesa është përgjegjësi e çdo brezi

Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka përkujtuar 31-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, duke nderuar viktimat dhe duke bërë thirrje që kujtesa për këtë tragjedi të mbetet e gjallë për brezat që vijnë.
Në një status të publikuar në Facebook, Saliu theksoi se 11 korriku duhet të shërbejë si kujtesë e përhershme për një nga tragjeditë më të rënda të Evropës bashkëkohore.
“Sot përkujtojmë me respekt viktimat e gjenocidit të Srebrenicës dhe mbajmë gjallë kujtesën për një nga tragjeditë më të rënda të Evropës bashkëkohore”, shkroi ajo.
Deputetja veçoi edhe simbolikën e Fluturave Blu të Srebrenicës, duke theksuar mesazhin që ato përcjellin.
“Shpesh më ka bërë përshtypje rrëfimi për Fluturat Blu të Srebrenicës. Një simbol i vogël, por me një domethënie të madhe, që na kujton se edhe kur dikush përpiqet ta fshehë një krim, e vërteta gjen mënyrën për të dalë në dritë”, u shpreh Saliu.
Ajo nënvizoi se Srebrenica mbetet një kujtesë se heshtja nuk është zgjidhje dhe se ruajtja e kujtesës është përgjegjësi e çdo brezi.
“Srebrenica na kujton se heshtja nuk është përgjigje dhe se kujtesa është përgjegjësi e çdo brezi”, theksoi deputetja.
Në fund, Saliu u përkul me respekt para viktimave, duke shprehur solidaritet me familjet e tyre.

“Përulemi me respekt para viktimave dhe ndajmë dhimbjen me familjet e tyre. Lavdi kujtimit të viktimave të Srebrenicës. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tyre”, përfundoi ajo, duke kujtuar se në gjenocidin e 11 korrikut 1995 u vranë 8.372 boshnjakë.



