Saliu: Jam krenare që jam shqiptare dhe myslimane, bindjet e mia nuk janë të negociueshme

Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka reaguar përmes një statusi në Facebook pas reagimeve të shumta që ka marrë lidhur me qëndrimin e saj të fundit, duke falënderuar mbështetësit dhe duke theksuar se respekton edhe ata që kanë mendime ndryshe.

“Ju falënderoj pafund për mbështetjen. Secili mesazh i juaji më jep forcë dhe për këtë ju jam sinqerisht mirënjohëse”, shkruan Saliu, duke shtuar se i kupton edhe komentet kundërshtuese.

Ajo thekson se nuk ndihet e prekur nga kritikat, duke vlerësuar se pluralizmi i mendimeve është pjesë e demokracisë. “I kuptoj dhe i mirëkuptoj edhe të gjithë ata që ndajnë qëndrime të kundërta… Në fund të fundit, kjo është demokracia”, shprehet deputetja.

Saliu dënon gjuhën fyese, seksiste dhe islamofobe që, sipas saj, është përdorur nga një pjesë e komentuesve. “Nuk do t’i komentoj fare ata që kanë përdorur gjuhë seksiste, fyese, islamofobe dhe të ulët, sepse ato flasin më shumë për ata që i përdorin sesa për mua. Uroj që Zoti t’i udhëzojë!”, shkruan ajo.

Në reagimin e saj, deputetja ndalet edhe te historia familjare, duke përmendur sakrificën e babait të saj si mërgimtar dhe edukimin që ka marrë për dashurinë ndaj kombit dhe fesë.

“Jam pafundësisht krenare që jam shqiptare dhe myslimane. Këto janë vlera me të cilat jam rritur dhe që do t’i përfaqësoj gjithmonë me dinjitet dhe respekt”, thekson Saliu.

Në fund, ajo nënvizon se do të vazhdojë të mbrojë parimet e saj dhe të përfaqësojë qytetarët që i kanë besuar mandatin.

“Si deputete, do të vazhdoj të qëndroj e fortë në parimet e mia dhe të ngre zërin për të gjithë qytetarët… Bindjet e mia nuk janë të negociueshme, ndërsa respekti për secilin mbetet parim i pandryshueshëm i imi”, përfundon statusi i deputetes së VLEN-it.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button