Rudiger rrezikon 12 ndeshje pezullim pasi sulmoi arbitrin

Humbja në finalen e Kupës së Mbretit duket se ka lënë pasoja të rënda te Real Madrid, pasi në fund të ndeshjes kundër Barcelonës, situata doli jashtë kontrollit me tre lojtarë të ndëshkuar me karton të kuq nga stoli dhe me fjalë të rënda nga Dani Carvajal ndaj arbitrit De Burgos.
Në qendër të polemikave është Antonio Rudiger, i cili, nga zona teknike, hodhi një çantë akulli në drejtim të arbitrit, gjest që u përfshi në raportin e ndeshjes.
“Rudiger u përjashtua për hedhjen e një objekti nga zona teknike që nuk më goditi. Pas kartonit të kuq, tregoi sjellje agresive dhe u mbajt nga stafi teknik i Realit”, shkruhet në raport. Mbrojtësi gjerman rrezikon një pezullim nga 4 deri në 12 ndeshje, që mund të vlejë edhe për kampionatin, duke qenë se klasifikohet si shkelje e rëndë.
Një ditë më pas, Rudiger kërkoi ndjesë në rrjetet sociale: “Nuk ka justifikim për atë që bëra. Më vjen shumë keq dhe i kërkoj falje arbitrit. Bëmë një pjesë të dytë të shkëlqyer, por pas 111 minutash, nuk mund të ndihmoja më skuadrën dhe bëra një gabim”, shkroi ai në Instagram.
Më të lehta pritet të jenë ndëshkimet për Jude Bellingham dhe Lucas Vazquez, të cilët gjithashtu u përjashtuan për protesta dhe sjellje të pahijshme ndaj arbitrit. Ata rrezikojnë nga 2 deri në 3 ndeshje pezullim, që do t’i vuajnë në edicionin e ardhshëm të Kupës së Mbretit. /Koha Jonë/