Rritet në 285 numri i të vdekurve nga tërmeti në Kolumbi

3.975 persona janë lënduar, 379 janë raportuar të zhdukur dhe 354 janë shpëtuar pas tërmetet të 10 gushtit me mangitudë 7,4, njoftuan autoritetet.

Numri i viktimave nga tërmeti me magnitudë 7,4 në Kolumbi është rritur në 285, ndërsa 3.975 persona janë lënduar, 379 janë raportuar të zhdukur dhe 354 janë shpëtuar, njoftoi të premten Njësia Kombëtare për Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë (UNGRD), transmeton Anadolu.

Drejtori i UNGRD-së, David Santiago Tamayo, tha se operacionet e kërkim-shpëtimit mbeten prioritet, veçanërisht në zonat ku besohet se njerëz kanë mbetur të bllokuar nën strukturat e shembura.

“Fatkeqësisht, mundësia për të gjetur të mbijetuar po zvogëlohet”, tha Tamayo, duke theksuar se ekipet e shpëtimit do të vazhdojnë punën për të gjetur të gjithë personat e raportuar të zhdukur.

Tërmeti goditi Kolumbinë perëndimore më 10 gusht, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha në disa qytete dhe duke dëmtuar banesa, shkolla, spitale dhe infrastruktura të tjera kritike.

Epiqendra ishte pranë San Jose del Palmarit, në departamentin Choco, ndërsa lëkundjet u ndien edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë Bogotan, si dhe në vendet fqinje.

Sipas vlerësimit të fundit kombëtar, nga tërmeti janë goditur 15 departamente dhe 426 bashki, ndërsa janë prekur 45.523 familje dhe 102.263 persona.

UNGRD-ja raportoi se 71.763 banesa janë dëmtuar, 12.597 janë shkatërruar dhe 121 ndërtesa janë shembur.

Tërmeti ka prekur rëndë edhe infrastrukturën publike, me 2.205 qendra arsimore dhe 240 objekte shëndetësore të dëmtuara. Autoritetet raportuan gjithashtu dëmtime në 1.208 qendra komunitare, 210 rrugë, 73 sisteme të furnizimit me ujë, 44 ura për automjete, 13 ura për këmbësorë dhe pesë aeroporte.

Shkalla e dëmeve ka ndërprerë shërbimet thelbësore, transportin, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe furnizimin me ujë në zonat e prekura, duke shtuar presionin mbi agjencitë e reagimit ndaj emergjencave.

Ekipet ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit janë dërguar në zonat e prekura për të mbështetur ekipet kolumbiane të emergjencave në operacionet për gjetjen e personave në strukturat e shembura dhe hapësirat e mbyllura.

Operacionet e shpëtimit dhe ndihmës vazhdojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për gjetjen e personave të zhdukur, për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve të prekura dhe për të vlerësuar plotësisht përmasat e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button