Rreth 200 mijë litra karburant në ditë blihen nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Pikat e karburantit në Maqedonia e Veriut kanë shënuar një rritje të ndjeshme të shitjeve, duke trefishuar konsumin në zonat kufitare si pasojë e kërkesës së lartë nga vendet fqinje, kryesisht Shqipëria dhe në një masë më të vogël Greqia.
Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Monitor, konsumi ditor i karburanteve në këtë shtet ka arritur në rreth 2 milionë litra, nga 1.5 milionë litra që ishte më parë. Këtë rritje e ka konfirmuar edhe kryeministri Hristijan Mickoski në deklaratat publike.
Nga ky volum total, rreth 10% i atribuohet shtetasve të huaj, çka përkthehet në afro 200 mijë litra karburant të konsumuar çdo ditë nga qytetarë të vendeve fqinje, kryesisht shqiptarë.
Rritja më e fortë e konsumit është regjistruar në pikat kufitare në veri, jug dhe perëndim të vendit, përfshirë zonat pranë Dibra e Madhe dhe Prespa.
Diferencat e çmimeve nxisin furnizimin jashtë vendit
Çmimet më të ulëta të karburanteve në Maqedoninë e Veriut vijojnë të mbeten arsyeja kryesore e kësaj tendence. Një litër naftë tregtohet rreth 1.52 euro, ndërsa në Shqipëri arrin në rreth 2.1 euro për litër. Edhe benzina është dukshëm më e lirë, me çmime nga 1.3 deri në 1.34 euro për litër, kundrejt rreth 1.8 euro në Shqipëri.
Kjo diferencë, që shkon deri në 40%, ka nxitur prej kohësh furnizimin e automjeteve shqiptare në vendin fqinj, fenomen që është intensifikuar pas rritjes së fundit të çmimeve.
Masat fiskale dhe ndikimi në treg
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë ndërhyrë për të frenuar rritjen e çmimeve, duke ulur TVSH-në nga 18% në 10% dhe duke reduktuar akcizat për karburantet. Këto masa janë shoqëruar edhe me shpalljen e gjendjes së krizës energjetike, për të lejuar përdorimin e rezervave shtetërore. Sipas kryeministrit Mickoski, vendi mbetet me çmimet më konkurruese të karburanteve në rajon.
Në anën tjetër, në Shqipëri është ndërmarrë vetëm një masë e përkohshme për uljen e akcizës, ndërsa funksionimi i Bordit të Transparencës ka sjellë një ndikim të kufizuar në uljen e çmimeve.
Humbje në konsum dhe zhvendosje e tregut
Të dhënat tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e konsumit të karburanteve nga Shqipëria është zhvendosur drejt vendeve fqinje. Sipas përllogaritjeve, rreth 15–25% e konsumit total realizohet jashtë vendit.
Përveç Maqedonisë së Veriut, edhe Mali i Zi dhe Kosova mbeten destinacione të rëndësishme për furnizimin me karburant, për shkak të çmimeve më të ulëta krahasuar me tregun shqiptar, citon Monitor.
Ekspertët e tregut vlerësojnë se kjo situatë po sjell humbje të ndjeshme për operatorët vendas dhe të ardhurat fiskale, ndërsa diferencat e çmimeve vijojnë të nxisin këtë fenomen ndërkufitar.



