Rregullatori me çmime të reja, dizeli ulet për 4.5 den, ulja e TVSH-së vazhdon deri më 12 tetor

Ashtu siç është bërë tashmë zakon, të hënën qytetarët i kanë sytë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, për të parë se çfarë vendimi do të merret për çmimet e derivateve të naftës. Lajm i mirë këtë herë vjen për shoferët që përdorin dizel, pasi ai do të lirohet për 4,5 denarë për litër dhe nga mesnata do të shitet për fiks 100 denarë për litër.
Të njëjtin fat nuk kanë edhe shoferët, makinat e të cilëve përdorin benzinë, pasi ata do të shtrejtohen vetëm për një denar, me çka EUROSUPER BS-95 do të kushtojë 100 denarë, ndërsa EUROSUPER BS-98 – 102 denarë për litër. Vaji ekstra i lehtë për amvisëri lirohet për tre denarë dhe do të shitet me çmim prej 111,50 denarësh për litër, ndërsa mazuti do të kushtojë 49,882 denarë për kilogram.
Këto çmime janë rezultat i vendimit të sotëm të Qeverisë për vazhdimin e masës, me të cilën TVSH-ja për naftën ulet nga 18 në 10 për qind, deri më 12 tetor.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në një status në rrjetet sociale, theksoi se përmes këtyre masave Qeveria vazhdon të mbrojë standardin e qytetarëve dhe të ruajë stabilitetin e ekonomisë vendase.
GORDANA DIMITRIESKA-KOÇOSKA
“Me vazhdimin e kësaj mase ndikojmë drejtpërdrejt në çmimet me pakicë të karburanteve dhe kufizojmë bartjen e presioneve të jashtme të çmimeve mbi çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera. Reagojmë në kohë dhe me përgjegjësi, duke ndjekur zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe duke marrë masa kur është e nevojshme për të mbrojtur standardin e qytetarëve”.
Masa me të cilën TVSH-ja për naftën u ul nga 18 në 10 për qind filloi të zbatohet më 15 shtator, me qëllim zbutjen e presionit të çmimeve mbi qytetarët. Ndërkohë, çmimi i naftës së papërpunuar në bursat ndërkombëtare gjatë mëngjesit kanë sërish pranë nivelit prej 110 dollarësh për fuçi.

