Rilindja, përtej letërsisë

Konteksti kur lindi dhe u zhvillua ideja e nacionalizmit shqiptar përmban elemente të ndryshme socio-politike dhe gjeografike. Shqiptarët qysh nga koha e krizës lindore dhe nga Tanzimati nuk ishin të kënaqur me gjendjen në Perandori. Ata, duke parashikuar një rrezik të pushtimit nga sllavët dhe grekët, që synonin t’i ndanin mes vete territoret e banuara me shqiptarë, me kohë u gjendën në kërkesa për njësinë politike – autonominë e katër vilajeteve, për shkollat dhe gjuhën shqipe, për administratë me punonjës vendorë etj.

Shkruan: Blerim HALILI, Prishtinë

Epoka e Rilindjes Kombëtare Shqiptare njihet si një ndër epokat më dinamike në aspektin e zhvillimeve dhe më vendimtare në aspektin e hartimit dhe shtrirjes së programit nacional intelektual e kulturor shqiptar. Konteksti historik brenda të cilit lindi dhe përmbajtja e stili i përpilimit të programit të rilindjes, e bëjnë atë projektin më serioz shqiptar të shpallur ndonjëherë.

Ndonëse identitetet kulturore janë dinamike dhe u nënshtrohen ndryshimeve gjatë proceseve historike, varësisht nga zhvillimet politike dhe ndërveprimit me identitetet tjera, prapëseprapë referenca historike dhe trashëgimia që vjen nga e kaluara shërben gjithnjë si model dhe pikënisje për ndërtimin e botës së re që vjen në vazhdim. Kështu ndodhë edhe me projektin kombëtar shqiptar. Sado që të ketë pësuar ndryshime, si rrjedhojë e proceseve të ndryshme socio-politike, sado të ketë marrë nuanca ose edhe prioritete të tjera varësisht nga kërkesat e kohës, qendra e mendimit dhe trashëgimia themeltare e identitetit nacional shqiptar mbetet ajo e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e etabluar kryesisht në çerekfundin e shekullit XIX dhe çerekun e parë të shekullit XX. Rilindja, si epokë dhe produkt intelektual, krahas karakterit dhe funksionit letrar, përbën edhe përpjekjen më serioze për etablimin e projektit politik e kulturor shqiptar.

Konteksti historik

Konteksti kur lindi dhe u zhvillua ideja e nacionalizmit shqiptar përmban elemente të ndryshme socio-politike dhe gjeografike. Shqiptarët qysh nga koha e krizës lindore dhe nga Tanzimati nuk ishin të kënaqur me gjendjen në Perandori. Ata, duke parashikuar një rrezik të pushtimit nga sllavët dhe grekët, që synonin t’i ndanin mes vete territoret e banuara me shqiptarë, me kohë u gjendën në kërkesa për njësinë politike – autonominë e katër vilajeteve, për shkollat dhe gjuhën shqipe, për administratë me punonjës vendorë etj. Në çerekun e fundit të shekullit XIX ndryshimet u bënë drastike. Territoret e banuara me shqiptarë tashmë po pushtoheshin nga fqinjët ballkanikë dhe Perandoria Osmane po dobësohej. Si reagim ndaj copëtimit të territoreve të banuara me shumicë shqiptare nga fqinjët ballkanikë, lindi edhe nacionalizmi shqiptar. Pra, nën ndikimin e nacionalizmit, sidomos nga gjysma e dytë e shekullit XIX, vendet ballkanike e filluan luftën kundër Perandorisë Osmane dhe ato një nga një e fituan pavarësinë dhe i krijuan shtetet e tyre nacionale të bazuara në parimin etnik. Mirëpo, me shqiptarët situata ishte më e ndërlikuar. Ata nuk e fituan pavarësinë kombëtare deri në fund të vitit 1912. Arsyet e kësaj “vonese” janë të ndryshme. Së pari, ata nuk përbënin një milet në sistemin osman, sepse nuk i përkisnin një feje të vetme, sikurse ishin popujt e tjerë ballkanikë, katolikë dhe ortodoksë. Ata në shumicë ishin myslimanë, një pjesë i përkiste fesë katolike dhe një pjesë më e vogël ritit ortodoks. Ndonëse pati përpjekje nga shqiptarët që të formojnë një njësi autonome me katër vilajete me shumicë shqiptare (i Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit) qysh në çerekun e fundit të shekullit XIX, kjo nuk iu mundësua nga Porta e Lartë, pasiqë ajo synonte t’i mbajë nën sundim siç kishin qenë më parë, si myslimanë dhe të afërt me shtetin osman. Së dyti, shtetet ballkanike, Serbia, Mali i Zi e Greqia, me përkrahjen e disa vendeve perëndimore dhe Rusisë, kaluan në sulm kundër forcave osmane, që t’i pushtonin territoret e banuara me shumicë shqiptare, kur Perandoria veçse po binte me shpejtësi. Së treti, fuqia diplomatike e vendeve ortodokse dhe katolike në mjedisin ndërkombëtar ishte shumë e madhe dhe vendimtare për të caktuar kufijtë e rinj në dobi të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Shqiptarët më 1912 e shpallën pavarësinë, me përkrahjen e Austro-Hungarisë dhe disa shteteve të tjera, me kufijtë aktualë që ia njohu Konferenca e Londrës më 1913. Mirëpo, edhe me shpalljen e pavarësisë më 1912, shqiptarët nuk e realizuan projektin nacional sikurse fqinjtë e tyre. Ata nuk e krijuan shtetin etnik që do t’i kënaqte interesat dhe pritjet e tyre kur Perandoria po binte. Ata nuk u lejuan nga fuqitë europiane dhe shtetet ballkanike me Rusinë, që ta krijojnë shtetin e tyre që bazohet në parimin demografik dhe etnik, që do t’i përfshinte shqiptarët në të gjitha viset ku ata përbënin shumicën absolute të popullsisë. U krijua një shtet shqiptar minor në raport me shtrirjen demografike në rajonet e Ballkanit.

Diaspora shqipare

Në përhapjen e ideve fillestare të shqiptarizmit, Clayer-i dhe autorë të tjerë e potencojnë rolin që ka luajtur diaspora shqiptare në Greqi, në Itali, në Mal të Zi, në Rumani, në Egjipt, në Bullgari, në Perandorinë Austro-Hungareze, në Europën Perëndimore dhe në Amerikë. Po ashtu, roli i veprimtarëve që jetonin e vepronin në Stamboll u bë qendror në formësimin e mëvonshëm të vetëdijes nacionale shqiptare. Diaspora themeloi shoqëri dhe gazeta që flisnin për shqiptarët dhe gradualisht formoi rrjete veprimtarësh që vendosën kontakte mes vete. Përhapja e shtypit shqip merret si faktori kryesor i përhapjes së ideve të shqiptarizmit. “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, e themeluar në Stamboll më 1879 nga veprimtarët e parë të shqiptarizmit, ndër të cilët ishte Sami Frashëri, Pashko Vasa, Ferit Vlora etj., vuri një hap në konsolidimin e shkrimit shqip. Përveç diasporës, që në shumë raste unifikoi veprimtarë myslimanë, katolikë dhe ortodoksë, rol të madh në përhapjen e librit shqip luajtën qarqet katolike dhe protestante në Shqipëri e në vende të tjera të banuara me shqiptarë, që përmes shoqatave me mision fetar botuan dhe përhapën literaturë në gjuhën shqipe, që nga gjysma e parë e shekullit XIX. Qëllimi i botimit të literaturës në gjuhën shqipe nga këto shoqata të krishtera (veçanërisht “British and Foreign Bible Society”) ishte përhapja e propagandës fetare të krishterë në mesin e shqiptarëve. “Bible Society” dhe organizata të ngjashme patën përkrahjen e Austro-Hungarisë dhe të Italisë, ndërsa qendrat fetare ortodokse në mesin e shqiptarëve ishin të ndikuara shpesh nga ortodoksia greke. Clayer-i e potencon edhe rolin e albanologëve dhe konsujve perëndimorë, në Perandorinë Osmane, në zgjimin e vetëdijes kombëtare shqiptare, përmes veprimtarëve të shqiptarizmit, që bashkëpunonin me rrjetin fetar të krishterë.

Tiparet kryresore të shqiptarizmit

Thirrja kryesore e veprimtarëve të nacionalizmit shqiptar është te gjuha shqipe, si gjuhë e vjetër, e bukur, pasardhëse e ilirishtes, dhe si gjuhë e dallueshme, si nga gjuhët e fqinjve ballkanikë, ashtu edhe nga turqishtja. Në nacionalizmin e zhvilluar prej mesit të shekullit XIX e tutje, rilindësit këmbëngulin në tiparet dalluese të gjuhës shqipe, në bukurinë e saj, në lashtësinë e saj dhe në vlerat e tjera të saj. Kjo shprehet si në veprat letrare dhe poetike të rilindësve shqiptarë si Naim Frashëri, ashtu edhe në shkrimet e kohës në gazeta dhe artikuj që i shkruanin veprimtarët. Ky shenjtërim i gjuhës shqipe, për ta ngritur vetëdijen nacionale të shqiptarëve për të qenurit komb i dallueshëm, vjen si rezultat i asaj që shqiptarët nuk mund të unifikoheshin me fenë, me ndonjë shtet ekzistent, ose me ndonjë tipar tjetër përbashkues. Në planin fetar, ata i përkisnin në shumicë besimit islam (në versionin sunit dhe bektashi), besimit katolik dhe atij ortodoks. Ndërsa, për veprimtarët e shqiptarizmit feja mbetej në rend të dytë, mbi të gjitha ishte gjuha, prejardhja, etnia, tradita dhe historia e përbashkët. Ndonëse thirrjet e poetëve romantikë, si Naim Frashëri, trumbetonin përbashkësinë te fisi, familja, gjaku dhe gjuha. Një nga thëniet që rilindësit ngritën për t’u bashkuar shqiptarët rreth idesë së shqiptarizmit ishte ajo e Pashko Vasës, një katolik, zyrtar i shtetit osman nga Shqipëria, i cili bënte thirrjen “Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit është Shqiptaria”, e cila synonte pikërisht vënien e etnisë dhe gjuhës në rend të parë në funksion të projektit politik, për të argumentuar kështu autoktoninë etnike shqiptare në këto troje, pavarësisht besimit fetar. Një element tjetër në të cilin nacionalizmi shqiptar thirret për të kaluar ndasitë është prejardhja e përbashkët e shqiptarëve. Sipas veprimtarëve të nacionalizmit shqiptar, traditat e përbashkëta dhe vlerat zakonore përbëjnë një bazë të fortë unifikuese të kombit shqiptar. Mirëpo, sado që në sfond shihej një lloj unifikimi mbi kriterin e të qenurit “shqiptar”, përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX e veçanërisht në dekadën e fundit të tij vërejmë se veprimtarët e shqiptarizmit nuk janë tërësisht unikë në filozofinë e tyre mbi kombin. Duhet theksuar se gjuha shqipe deri në atë kohë shkruhej me alfabet arab, grek, madje edhe sllav. Libri i parë në gjuhën shqipe në historiografinë shqiptare pranohet të jetë “Meshari”, i shkruar nga Gjon Buzuku, një libër fetar i krishterë, më 1555, me alfabet latin. Janë mbledhjet e veprimtarëve nacionalistë prej dekadës së dytë të shekullit XIX për përcaktimin e një alfabeti unik për shqiptarët, ku u panë ndikimet e rrymave të ndryshme fetare, krahinore dhe politike mbi vizionet e tyre për shqiptarinë. Siç thekson Clayer-i, një pjesë e veprimtarëve myslimanë të shqiptarizmit insistonte se gjuha shqipe duhej të shkruhej vetëm me alfabetin arab, ngase ajo i lidhte me fenë, me besnikërinë ndaj Perandorisë dhe me një trashëgimi të përbashkët perandorake. Ky qëndrim ishte edhe politikë e qeverisë osmane. Por, pati edhe figura të njohura myslimane, si ajo e Hoxhë Hasan Tahsinit, rektori i parë i Universitetit të Stambollit ose Ismail Bej Qemalit (që do të shpallte pavarësinë më 1912) që do ta mbronin idenë se gjuha shqipe duhet të shkruhej me alfabet të posaçëm apo latin, por jo me atë arab. Në alfabetin latin këmbëngulin edhe anëtarët e komunitetit katolik, për të cilët latinishtja, përveç afërsisë me Krishterimin, na lidhte edhe politikisht me Europën. Ndërkaq, Ortdodoksia e veprimtarëve kërkonte që gjuha shqipe të shkruhej me alfabetin grek, duke u arsyetuar në lidhjet e hershme me grekët. Çështja e alfabetit ishte vetëm njëra nga pikat në të cilat veprimtarët e shqiptarizmit do t’i shihnin dallimet dhe vizonet e ndryshme për kombin. Këto në periudhat e mëpastajme do të bëheshin edhe pikëpamje politike që synonin disa “shqiptari” të ndryshme.

Për shkak të ndryshimeve me një dinamikë të shpejtë në kufijtë e Perandorisë dhe në reformat e brendshme, zhvillimi i nacionalizmit shqiptar mori formë nga ngjarje dhe figura që kanë të bëjnë me atë fazë ndryshimesh. Sami Frashëri, në programin nacionalist për Shqipërinë thoshte: “Qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohetë prej të huajve, të mbajnë gjuhën’ e kombërin’ e tyre, t’u rrinë kundreq entrigave t’armikëvet të tyre e të ndalojnë të përhapurit’ e gjuhëvet e të mendimeve të greqet e te shqehet, të cilatë po i rëmojnë themeletë e po i nxjerinë rënjët Shqipërisë e shqiptarësisë”. Kjo tregon se në terren gjërat po shkonin në një drejtim të padëshirueshëm për shqiptarët. Nacionalizmi shqiptar tashmë hyn në fazën e ballafaqimit me realitete të reja, realitete dhe ndryshime që në fakt filluar qysh nga mesi i shekullit XIX, por që u intensifikuar në çerekun e fundit të tij dhe në fillim të shekullit vijues. Mirëpo, baza ideologjike e nacionalizmit shqiptar, në masë të madhe, do të ndërtohej mbi atë themel që ngritën veprimtarët e parë.

Përfundim

Projekti i Rilindjes Kombëtare mbetet harta kryesore njohëse e progresive dhe trashëgimia kryesore e botës shqiptare, e cila synonte krijimin e një rendi politik brendashqiptar të bazuar në principet moderne. Me idetë për kapërcimin e ndarjeve dhe kontradiktave krahinore, fetare dhe ideologjike dhe formimin e një njësie politike mbarëshqiptare të bazuar në gjuhën, etninë, prejardhjen e përbashkët, ajo bëri një hap të rëndësishëm drejt modernizmit shqiptar. Krijimtaria letrare dhe kulturore, bindjet dhe idetë politike, veprimtaria në terren, ndërveprimi diplomatik dhe intelektual me botën perëndimore, e bëjnë atë një lëvizje serioze dhe unike në mesin e shqiptarëve.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button