Raporti i CIA-s për sulmin me dronë mbi Novgorod: Ukraina nuk e synoi rezidencën e Putinit

Një ekzaminim teknik i sistemit të navigimit të njërit prej droneve të rrëzuar natën e 29 dhjetorit mbi rajonin e Novgorodit zbuloi se objektivi përfundimtar i sulmit të tij ishte një nga objektet në rezidencën e Vladimir Putinit.
Kjo u raportua nga shërbimi për shtyp i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
Sipas deklaratës, shërbimet ruse të inteligjencës kanë nxjerrë skedarin e misionit të fluturimit që ishte ngarkuar në pajisje. Këto materiale do t’i transferohen palës amerikane përmes kanaleve të përcaktuara, tha ministria.
Më parë, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se Ukraina u përpoq të sulmonte rezidencën e Putinit në rajonin e Novgorodit me dronë, duke bërë që Rusia të kundërpërgjigjej.
Ndërkohë, sipas raporteve të medias, CIA tha në raportin e saj drejtuar Presidentit të SHBA-së Donald Trump se dronët ukrainas sulmuan rajonin e Novgorodit, por nuk e shënjestruan rezidencën e Putinit. SHBA-të ende nuk kanë komentuar zyrtisht.
Lajmi bëhet i ditur nga Wall Street Journal, duke cituar burime të saj.
Ata i treguan gazetës për gjetjet e CIA-s, sipas të cilave “nuk kishte pasur asnjë përpjekje për të sulmuar Putinin”.
“Inteligjenca amerikane ka përcaktuar se Ukraina u përpoq të godiste një objektiv ushtarak të vendosur në të njëjtën zonë me rezidencën, por jo afër,” tha zyrtari.
Artikulli thotë gjithashtu se drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, e informoi Trumpin për këtë çështje. Presidenti amerikan më pas ribotoi një artikull të New York Post që thoshte se “Rusia është në rrugën e paqes”.
Gjetjet e publikuara nga gazeta nuk u konfirmuan zyrtarisht as nga CIA dhe as nga Shtëpia e Bardhë.



